“Për momentin kur i tërë rajoni po vuan nga gufatja e lirisë së mediave, kur gazetarët dhe redaksitë ekspozohen para çfarëdo presioni, kam konsideruar se bashkimi i botuesve më të mëdhenj të rajonit është mënyra më e mirë që të përforcohen kapacitetet e tyre individuale dhe të përbashkëta si në planin e standardeve profesionale dhe mbrojtjen e lirës së mediave ashtu edhe në planin e avancimit të aktiviteteve të tyre të biznesit dhe të punës”, ka thënë Marash
Shkup, 5 prill – Aktivisti i njohur dhe shumëvjeçar i sektorit joqeveritar Vuk Marash është zgjedhur dje drejtor i Asociacionit të porsa formuar rajonal të mediave të Evropës Juglindore (AMEJL). Marash gjatë karrierës së tij të deritanishme ka qenë drejtor programor i MANSA, anëtar i Këshillit drejtues të rrjetit ndërkombëtar të FLER për luftën kundër krimit të organizuar, si dhe anëtar i grupeve të shumta të punës në vend dhe jashtë vendit që kanë punuar në përpilimin dhe përcjelljen e implementimit të ligjit dhe politikave që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe procesin zgjedhor. Me rastin e marrjes së këtij posti, Marash ka deklaruar se angazhimi në promovimin e Asociacionit deri tani më të madh rajonal të mediave për atë është një sfidë e madhe.
“Për momentin kur i tërë rajoni po vuan nga gufatja e lirisë së mediave, kur gazetarët dhe redaksitë ekspozohen para çfarëdo presioni, kam konsideruar se bashkimi i botuesve më të mëdhenj të rajonit është mënyra më e mirë që të përforcohen kapacitetet e tyre individuale dhe të përbashkëta si në planin e standardeve profesionale dhe mbrojtjen e lirës së mediave ashtu edhe në planin e avancimit të aktiviteteve të tyre të biznesit dhe të punës”. Siç është informuar opinioni, në fund të muajit janar në Podgoricë është formuar asociacioni i parë rajonal i gjashtë mediave kryesore të Evropës Juglindore AMEJL.
Themelues së bashku me Vijest janë edhe Oslobogjenje (Sarajevë), AMG (Beograd), Koha (Prishtinë), Slloboden peçat (Shkup), Koha (Shkup). Siç është theksuar atëherë synimet kryesore të Asociacionit janë avancimi i bashkëpunimit të ndërsjellë, trajnimet e përbashkëta të të punësuarve, këmbim të temave, qasja e koordinuar ndaj organeve dhe organizatave shtetërore dhe ndërkombëtare në drejtim të ngritjes së kualitetit të gazetarisë dhe përmirësimit të kushteve dhe pozitës së mediave në treg. Për kryetar të parë të Kuvendit të AMEJL është zgjedhur Zheljko Ivanoviq, drejtori i “Vijesti”.
Selia e Asociacionit është në Podgoricë. Planifikohet organizimi i një trajnimi të përbashkët për anëtarët e Asociacionit në lidhje me segmentet konkrete të biznesit (shitje, marketing, video-produksion, e-paper, etj), dhe pastaj organizimi i konferencës së madhe tematike vjetore në një prej qendrave rajonale, ku do të ftoheshin të gjitha mediat relevante nga rajoni, ekspertët e BE për këtë sferë, udhëheqës politik, përfaqësues të shoqatave profesionale të rajonit dhe BE-së. Një prej detyrave prioritare, siç thuhet edhe në Deklaratën themeluese, është lidhja me asociacionet e botuesve të Evropës dhe botës (ENPA, INMA dhe WAN).
Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim e Evropës në Podgoricë tash më ka mbështetur këtë ide duke njohur rëndësinë për bashkësinë e mediave të rajonit të Evropës Juglindore. Asociacioni ka dërguar ftesë edhe mediave tjera të rajonit, të cilat konsiderojnë se bashkëpunimi i ndërsjellë është mirëseardhës dhe i nevojshëm, që të bashkohen dhe së bashku të punojnë në promovimin e parimeve dhe realizimin e qëllimeve të theksuara në dokumentin themelues të Asociacionit. Puna e asociacionit financohet nga ana e anëtarësisë. (koha.mk)