Vucis: BE-ja të bëjë hap vendimtar për fillimin e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut

Athinë, 9 prill – Përveç njohjes së Marrëveshjes së Prespës përmes deklaratave dhe prononcimeve, BE-ja tani është e ftuar të ndërmerr hap vendimtar dhe të marrë vendim kyç për fillimin e bisedimeve inkuadruese me Maqedoninë e Veriut, porositi kryetari i Parlamentit grek, Nikos Vucis gjatë fjalimit të tij në Konferencën e parë të kryetarëve të parlamenteve të vendeve-anëtare të BE-së në temën “Bashkimi Evropian dhe fqinjët e saj” që u mbajt në Vjenë.

Vucis, fjalimin e tij e filloi duke iu referuar “shembullit më të suksesshëm për marrëdhënie të mira fqinjësore, lidhjen e Marrëveshjes së Prespës mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut”, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina.

“Treguam se kur ekziston vullneti i domosdoshëm politik, shtetet munden në mënyrë të qetë t’i zgjidhin dallimet e tyre, në bazë të së drejtës ndërkombëtare dhe parimeve të fqinjësisë së mirë. Nga njëra anë, marrëveshja e krijon kornizën adekuate për zhvillim të plotë të marrëdhënieve tona bilaterale politike dhe ekonomike me Maqedoninë e Veriut në dobi të fqinjëve tanë. Kontaktet tona dypalëshe në të gjitha nivelet, tashmë janë të shpeshta dhe të afërta dhe synojmë drejt krijimit të sistemit të plotë dhe modern të bashkëpunimit”, tha kryetari i Parlamentit grek, ndërsa ndaloi edhe në vizitën e javës së kaluar të Aleksis Cipras në Shkup.

Tha se Marrëveshja e Prespës “e hap rrugën për perspektivë euroatlantike dhe evropiane të Maqedonisë së Veriut”, por edhe se mënjanohen pengesat për bashkëpunim “duke i dhënë mundësi Evropës Juglindore që të ketë dobi nga nismat për zhvillim, siç është “Οne belt-Οne road” kineze dhe projektet amerikane ekonomike dhe energjetike për rajonin”.

Vucis ndaloi edhe në perspektivën evropiane të rajonit, tha se për Greqinë prioritet kryesor është integrimi në BE i vendeve të Ballkanit Perëndimor.