Kryetari i Serbisë për një medium serb ka paralajmëruar se pret që Serbia të dalë me propozimin e vet për zgjidhjen e çështjes së Kosovës në marsin e vitit të ardhshëm. Deri më tash Serbia ka dalë me shumë propozime – dëshirë për “zgjidhjen” e çështje së Kosovës, por me asnjërin prej tyre nuk ka hequr dorë nga pasja në pronësi të territorit të Kosovës dhe të ushtrimit të politikës së Beogradit në të, transmeton Koha. net. Vuçiq duke folur për këtë “zgjidhje”, e cila sipas tij, mendon të arrihet pas bisedave ndërserbe në Serbi, thotë se ajo do të jetë zgjidhje ndryshe nga “zgjidhjet” tjera më të lehta” sesa që janë nxjerrja e gjoksit përpara dhe fjalët për territorin tonë milionvjeçar ose ndryshe nga zgjidhja me të cilën kërkohet të themi – rroftë Kosova e pavarur. Pra ajo do të jetë një zgjidhje që kërkon kompromise të dhimbshme nga të dy palët dhe që do të sulmohet nga të gjitha anët. Këto i ka thënë Vuçiq për gazetën e Beogradit “novosti”. Në këtë medium kryetari serb ka zbuluar edhe “sekrete” të bisedave të tij për Kosovën që i ka zhvilluar në Bruksel gjatë të cilave, ka thënë ai, ka pasur edhe kërcime. “Në Bruksel kam pasur kërcënimet më të hapëta. M’u kërkua që Kosova të hynte në OKB dhe që policia rajonale të formohet në bazë të numrit të banorëve të shtatë komunave të veriut që do të thotë se në Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok e Mitrovicë veriore të jenë 68 për qind policë shqiptarë dhe 32 për qind policë serbë. Nuk u pajtova të pranoja këto qarqe por qe të shkohet vetëm në një qark të posaçëm dhe që në bazë të këtij të formohet policia rajonale në të cilën do të do të jenë 90 për qind serbë. Ata s’e pranuan këtë dhe nisën kërcënimet e hapura”. Në insistimet e mediumit ai ka treguar cilat kanë qenë kërcënimet :
“E mbarove karrierën, e pati e jotja! Iu thashë, s’ka problem. Dhe pas 10 ditësh i pranuan vërejtjet serbe. Një skenë e dhimbshme ka qenë edhe ajo lidhur me trenin. E shfrytëzuan atë me dëshirën që të dërgojnë në veri policinë dhe specialët e ROSU-s. Iu thashë: Nëse shqiptarët nisen kundër popullit tim, njësitë tona nga Kragujevci do të shkojnë në Kralevë. Atëherë më thirri një ambasador. Me të u zhvillua një këmbim i fjalëve të rënda me tone të larta nga të dy palët. E përfundova bisedën me fjalët – deri sa të jeni gjallë mos mendoni se do të udhëhiqni me lëvizjet e policisë dhe të ushtrisë serbe. Dhe mos t’iu bjerë kurrë ndër mend që ta provoni këtë. Këtë ia thashë në gojë atij që m’u kërcënua. Në fund, si rezultat, polica shqiptare dhe ROSU nuk janë në veri të Kosovës”.