Vuçiq: Serbia, arrë shumë e fortë për ata që provojnë ta dëbojnë popullin e saj

Do të presim edhe pak kohë e pastaj duhet të ulemi e të shohim çfarë do të bëjmë tutje, ka deklaruar presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq lidhur me taksën e Kosovës ndaj mallrave të Serbisë, transmeton Koha Ditore.

Ai ka shtuar se “është i brengosur me papërgjegjësinë e politikanëve shqiptarë të Kosovës dhe se nuk është optimist lidhur me zhvillimin e situatës në Kosovë.

“Për mua është problem i madh dhe po shndërrohet në makth papërgjegjësia e politikanëve shqiptarë të cilët nuk po e kuptojnë se ne nuk kemi më konflikt të ngrirë, ai është shkrirë, tash po përpiqemi që ta ruajmë paqen dhe të gjejmë zgjidhje sa më të mirë të mundshme për të dy palët. I falënderoj partnerët perëndimorë në përkrahjen që kjo të sigurohet”, citon n1 të ketë deklaruar Vuçiq.

“Nëse nuk jemi në gjendje të kemi qarkullim të lirë të mallrave, për çfarë kemi për të biseduar, në Kosovë shumëkush s’e kupton këtë“, ka thënë Vuçiq.

“Do të japim çdo gjë nga vetja për paqe e stabilitet dhe nuk do ta lejojmë askënd të poshtërojë dhe ta dëbojë popullin serb kudo që ai jeton . Frikohem se ata që do ta provojnë këtë , do të shohin se sa e fortë është arra serbe”, ka deklaruar Vuçiq.