Beograd, 28 mars – Lindja dhe Perëndimi kanë qëndrime të kundërta në konfliktin politik në Maqedoni, vlerëson kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. Presidenti rus dhe kryeministri serb, ashtu siç tha Vuçiq pas takimit, më së shumti kanë biseduar për gjendjen në rajonin e Ballkanit. “Më gjatë jemi ndalur në rajon, situatën e përgjithshme, ndikimet e jashtme ndaj rajonit”, tha Viçiq. Nga biseda me Putinin dhe me ministrin e Punëve të Jashtme, Sergej Llavrov, Vuçiq tha se ka fituar përshtypjen se “Moska nuk e përkrahë formimin e Qeverisë të udhëhequr nga lideri i LSDM-së, Zoran Zaev”. “Aq sa forcat perëndimore e përkrahin Qeverinë e Zoran Zaevit dhe partive shqiptare, aq më duket se presidenti rus nuk është në atë anë”, tha ai në intervistën për televizionin “Pink”. Në konferencën e përbashkët për shtyp, Putin tha se “sipas disa shenjave të jashtme, ekziston ashpërsim” në rajon. Serbia në kohë të shkurtër pret që të realizohet marrëveshja për bashkëpunim ushtarako-teknik me Rusinë, me të cilën Beogradi pret që të merr 30 vetura të blinduara, 30 tanke T-72 dhe gjashtë avionë luftarak Mig-29. Kryeministri Vuçiq, pas takimit me Putin në Moskë tha se presidenti rus personalisht e ka miratuar dërgesën e armëve. Sipas Vuçiqit, në periudhën e ardhshme pritet që të arrijë armatimi, por refuzoi të tregojë se ajo a do të ndodhë gjatë muajve të ardhshëm.