Kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka thënë se nuk është lumtur për deklaratën e ambasadorit amerikan në Prishtinë Philip Kosnett se formimi i Ushtrisë së Kosovës është hap pozitiv, transmeton Koha.net .
Ai ,siç përcjell N1 ka thënë të jetë i vetëdijshëm se nuk është reale që Serbia ta ndryshojë mendimin e Amerikës për të cilën pavarësia e Kosovë është gjë e përfunduar.
“Vetëm se nuk duhet që gjithmonë publikisht ta themi . Kanë ata aleatë edhe në Evropë. E ne ta mundim Amerikën… Pa lëreni! Jemi përpjekur një herë, e nuk ia kemi dalë. Edhe pse kemi qenë të sulmuar dhe ju e dini se çfarë mendoj unë për agresionin”, ka thënë Vuçiq.
Duke komentuar deklaratën e kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj se amerikanë do të jenë në anën e Kosovës po pati luftë me Ushtrinë e Serbisë, ai ka thënë se Haradinaj ka të drejtë, SHBA-ja do të jetë në anën e Kosovës.
“Është koha e fundit të pajtohemi se SHBA-ja e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe se ky rrëfim ka përfunduar për të. Nuk është reale se Serbia mund ta ndryshojë mendimin e Amerikës”, ka thënë ai .
Vuçiq e ka falënderuar Madagaskarin për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës, po ka shtuar:
“A do të na shpëtojë kjo nga të gjitha vështirësitë e telashet? Natyrisht se jo? Po faleminderit këtij vendi të mrekullueshëm dhe këtë do të dimë ta çmojmë në të ardhmen”.