Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka kërkuar sot edhe njëherë nga senatori amerikan Rhon Jonson vizitën e presidentit Trump në Beograd, shkruan Alsat M, transmeton gazeta Koha.
Sipas presidentit serb Vuçiq, një vizitë e tillë do të ishte një ‘injeksion’, që do të ndihmonte në zgjidhjen e problemeve në rajon, përfshirë këtu edhe çështjen e Kosovës.
“Serbia është një vend i vogël dhe nuk mund t’i kërkojë presidentit amerikan që të angazhohet për Serbinë në baza javore apo ditore, por një vizitë e tillë do të ishte e rëndësishme dhe do të ishte një injeksion për raportet midis vendeve dhe për të zgjidhur problemet”, citohet të ketë thënë Vuçiq.
“Ka kaluar kohë e gjatë që prej kur një president amerikan nuk ka qenë në Beograd”, ka shtuar ai.
Vuçiq në Bratisllavë është takuar edhe me diplomatin amerikan Philip Ricker që konsiderohet një nga diplomatët më të rreptë amerikan.
Me të Vuçiq ka biseduar në lidhje me problemet me të cilat po përballet rajoni dhe me theks të veçantë për problemin Kosovë – Serbi.
Para këtyre vizitave, Vuçiq ka marrë pjesë në një panel bashkë me presidentin Thaçi, me të cilin kanë zhvilluar një debat të nxehtë, lidhur me problemet e hapura në mes dy vendeve.
Është diskutuar për marrëveshjen e Brukselit, përmbushjen e obligimeve, taksën dhe marrëveshjen finale që synohet të arrihet.
Presidenti amerikan në fillim të këtij viti kishte dërguar dy letra në drejtim të Thaçit dhe Vuçiqit, ku kishte kërkuar heqjen e taksës dhe kishte folur për një marrëveshje historike Kosovë-Serbi, që do të nënshrkuhej në Shtëpinë e Bardhë.
Ndërkohë edhe presidenti Thaçi, vazhdimisht deklaron se pa përfshirjen e Amerikës, nuk mund të arrihet asgjë sa i përket dialogut me Serbinë.