Presidenti serb Aleksandar Vuçiq i cili gjendet për vizitë në Moskë, sot deklaroi se nga homologu i tij rus Vladimir Putin do të kërkojë “më thellë” ta shqyrtojë problemin me Kosovën dhe të “dalë” me qëndrim politik të Moskës për Kosovën. “Do ta lus presidentin Putin, jo vetëm me mbështetje të drejtpërdrejtë që ia jep Serbisë, por edhe pa hamendje të dalë me qëndrimin e tij politik në të gjitha organet dhe institucionet edhe organizatat ndërkombëtare”, deklaroi Vuçiq. Ai theksoi se Rusia gjithmonë ka dhënë mbështetje të drejtpërdrejtë për integritetin territorial të Serbisë dhe jo vetëm këtë, por edhe mbështetje të vendosjes së pavarur dhe pavarësisë thelbësore të Beogradit, si dhe neutralitetit ushtarak.
“Nuk ka dyshim se do ta përsëris qëndrimin dhe faktin se Serbia në asnjë mënyrë nuk do të hyjë në NATO apo në blloqe të tjera ushtarake”, tha Vuçiq. Ai shtoi se me presidentin rus do bisedojë “për tema të rëndësishme, marrëdhëniet ekonomike, bashkëpunimin ushtarak dhe ekonomik”. Presidenti serb paralajmëroi se do ta ftojë Putinin së shpejti ta vizitojë Serbinë. Vuçiq, i cili në Moskë arriti sot, pasdite duhet të takohet me Putinin, ndërsa nesër do të marrë pjesë në parakalimin ushtarak me rastin e Ditës së fitores mbi fashizmin.