Vuçiçi: Serbia do të ketë presione pas formimit të qeverisë në Kosovë

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, para Bordit Kryesor të Partisë Progresive Serbe (SNS) tha se Serbia do të jetë në presion të madh sapo të formohet qeveria në Prishtinë.

Vuçiç, i cili është edhe kryetar i SNS-së, tha se Serbisë do t’i bëhet presion që të pranojë pavarësinë e Kosovës pa kompromise, por se Kosova nuk do të fitojë njohjen, duke shtuar se presioni do të jetë tmerrësisht i lartë.

Ai tha se nuk e di nëse Lista Serbe do të garojë në zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovë, por i këshilloi që të garojnë në këto zgjedhje, duke theksuar se do të jenë të vështira për këtë subjekt politik.

Temë e bisedimeve të mbledhjes ishin edhe zgjedhjet e rregullta lokale dhe parlamentare në Serbi të cilat duhet të mbahen në vitin 2020.

Duke folur për propozimin e opozitës që të formohet qeveri teknike (e përkohshme) para zgjedhjeve, duke marrë si model qeverinë teknike të formuar në Maqedoninë e Veriut para zgjedhjeve të vitit 2016, Vuçiç tha se ka vendosur që “sa të jetë gjallë, nuk do të ketë asnjë qeveri të përkohshme, por qeveri të popullit për të cilën do të votojnë qytetarët”.

“Qeveria e Serbisë nuk do të përcaktohet nga të huajt, por nga qytetarët e Serbisë. Sa të jem gjallë do ta mbroj Kushtetutën dhe këtë shtet”, tha Vuçiç.

Ai porositi se “Serbia për asnjë send nuk ia jep askujt lirinë e atdheut”.

Vuçiç paralajmëroi se nëse partia e tij e fiton besimin e qytetarëve, në qeverinë e Serbisë do të ketë 50-60 për qind ministra nga kjo parti.

“Të dëshmojmë se ne nuk jemi rritur me kolltuk, se për ne është e rëndësishme që Serbia të ecë para, se ne nuk jemi të përkushtuar për pasurimin personal”, tha Vuçiç.