Aleksandar Vucic do ta pranojë pavarësinë e Kosovës, por vetëm nëse Serbia merr diçka në këmbim. Kështu shkruan sot gazeta më e famshme britanike The Guardian, në një intervistë me Presidentin e Serbisë, transmeton gazetametro.net
Vucic thotë që tash është hapur ‘një dritare’ për nënshkrimin e një marrëveshje të normalizimit mes dy vendeve, e cila mund të bëhet ‘brenda gjashtë muajsh ose një viti’.
“Ne jemi gati të diskutojmë për secilën çështje, jemi të gatshëm të marrim në konsideratë çdo propozim që do të çonte në një kompromis”, ka thënë Vucic, duke shtuar që Serbia dëshiron diçka në këmbim të kësaj marrëveshjeje.
Tutje, Vucic ka folur për angazhimin e tij personal në raport me Kosovën, duke thënë që çdo çështje tjetër është e parëndësishme në krahasim me këtë.
“Kam kaluar së paku 400 ditë në katër vitet e fundit duke menduar vetëm për Kosovën”, thotë ai, teksa shton që pas takimit me kancelaren gjermane Angela Merkel këtë muaj, ai nuk mundi të flinte në natën para takimit dhe nuk hëngri aspak ushqim gjatë takimit.
Bashkimi Europian ka paralajmëruar që dialogu mes dy vendeve do të marrë fund përmes një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme për normalizimin, që pritet të ndodhë në fund të vitit 2019. /gazetametro.net