Nuk është pritur aspak mirë në radhët e Lëvizjes Vetëvendosje lajmi për një vizitë të Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç në Tiranë më datë 8 dhe 9 maj. Fakti që së bashku me Vuçiç do të zbarkojë në kryeqytet edhe kreu i Republikës Serbe të Bosnjës, Milorad Dodik, ka bërë që VV-ja në Tiranë të paralajmërojë kryeministrin Edi Rama nëpërmjet një deklarate për shtyp për “revoltë popullore”.
Sipas VV-së, institucionet kanë zgjedhur heshtjen dhe mostransparencën, pikërisht në një periudhë kur Serbia synon haptazi ekspansionin në Kosovë dhe Bosnjë, ndërsa theksohet se Vuçiç ka gjetur aleatë edhe midis pushtetarëve shqiptarë si Thaçi dhe Rama, duke vendosur në rrezik interesat kombëtare. “Vuçiçi dhe Dodiku kanë gjetur bashkëpunëtorë për këto projekte supremaciste serbe edhe në mesin e pushtetarëve shqiptarë si Presidenti Hashim Thaçi, që si politikan ka marrë vazhdimisht përkrahjen nga Kryeministri Edi Rama, duke vendosur në rrezik interesat e gjithë kombit shqiptar. Mediat kanë raportuar gjithashtu se temë kryesore e kësaj vizite do të jetë dialogu Kosovë-Serbi”, thuhet në njoftimin e VV-së. Kujtojmë se, vazhdon më tej njoftimi, Aleksandar Vuçiç ka qenë Ministër i Informacionit në Qeverinë e Millosheviçit gjatë luftës në Kosovë.
“Që Vuçiçi mbetet i njëjti, këtë e tregon edhe deklarimi i tij i kohëve të fundit se Millosheviçi ka qenë “një lider i madh”. Ai dhe kabineti i tij qeverisës vazhdojnë të mohojnë sistematikisht masakrat e shumta që kanë ndodhur në Kosovë, 20 vjetori i të cilave po shënohet këtë vit për çdo javë në komunat e ndryshme të Kosovës. Vuçiçi dhe Serbia nuk kanë kërkuar kurrë falje për krimet e tyre, nuk e njohin dhe e luftojnë pavarësinë e Kosovës, nuk kanë dënuar asnjë kriminel për 20.000 përdhunimet e grave shqiptare gjatë luftës, nuk i kanë kthyer mbi 1600 të pagjetur, nuk kanë paguar kurrë dëmshpërblimet e luftës, nuk kanë kthyer fondin pensional dhe artefaktet e vjedhura kulturore, dhe vazhdojnë të shtypin për çdo ditë të drejtat politike e kulturore të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc që janë duke përjetuar edhe një gjendje të mjerueshme ekonomike…”.
Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shqipëri i bën thirrje institucioneve të Republikës së Shqipërisë të sqarojnë menjëherë dhe publikisht se kush është ftuar e kush vjen në Tiranë në datat 8 dhe 9 maj, dhe cilat do jenë temat e këtij takimi. “Ky sqarim nuk mund të zëvendësohet me fjalë si “janë ftuar liderët e Ballkanit”, apo qoftë edhe duke thënë se do të vijnë përfaqësues të BE-së, si Federica Mogherini, e cila ka mbajtur hapur një qëndrim në favor të politikave të Vuçiçit. Liderët e Ballkanit nuk janë të njëjtë në raport me shqiptarët dhe Shqipërinë, dhe prandaj nuk mund të trajtohen të gjithë njëlloj nga shteti shqiptar. Nëse Vuçiçi është ftuar e do të vijë në Tiranë, me ose pa vëllain e politikave të tij ekstremiste, Dodikun, atëherë reagimi qytetar ka për të qenë i pashmangshëm”.