Ka nga ata që kanë ndryshuar historinë e futbollit me këmbë dhe nga ata që e kanë ndryshuar nëpërmjet ligjit. Ky është rasti i Jean-Marc Bosman, që në 1995-ën, nëpërmjet një vendimi të Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Europian, ka përmbysur raportin e forcës mes futbollistëve dhe klubeve.
Nga ai moment e në vazhdim, lojtarët kanë pasur mundësinë të zgjedhin skuadrën ku do të luanin pas skadencës së kontratës, duke u larguar me “kosto zero”. Belgu e nisi atë fushatë në mënyrë që të kthehej të luante, duke parë se Liegi nuk donte ta linte të lirë pa marrë një dëmshpërblim. Një vendim që i ka shkuar në ndihmë atij dhe shumë futbollistëve të tjerë.
Jean-Marc Bosman, në një intervistë për “Bild”, ka shpjeguar sesi ai vendim ka ndryshuar jetën e tij, por jo për mirë. Siç i ka thënë të përditshmes gjermane, ai nuk mjaftueshëm para për të paguar për ngrohje dhe ajo që në fillim ishte një pishinë në kopshtin e shtëpisë, tani është një gropë e boshatisur, një vendbanim për një koloni bretkosash.
E gjitha kjo, sepse futbolli e ka diskriminuar. “Kam arritur diçka që askush nuk do ta kishte arritur në një rrugë tjetër. Gjithsesi, më pas skuadrat më kanë trajtuar si një tradhtar, si një fundërrinë. Kjo gjë më ka lënduar shumë. Nuk e kam kuptuar pse gjërat shkuan ashtu, jam demoralizuar shumë”. Një situatë që e ka shtyrë atë drejt alkoolit dhe disa problemeve me drejtësinë.
Futbolli, me pak fjalë, ka braktisur Bosman-in, i cili duket se ka gjetur një mik të papritur në kohët e fundit: Adrien Rabiot. Mesfushori do të lirohet shumë shpejt nga PSG pikërisht falë ligjit që mban emrin e belgut dhe kjo gjë ka shtyrë familjen e francezit ta kontaktojë.
“Mamaja e tij ka parë historinë time në një dokumentar dhe ka vendosur të më ndihmojë. Ka ardhur të më takojë me vëllanë e Adrien dhe më kanë ofruar 12 mijë euro”, ka zbuluar ai.
Jo keq, duke parë se Bosman është i papunë për momentin dhe e shtyn me subvencionet e FifPro, federata ndërkombëtare e futbollistëve, e njohur nga FIFA pikërisht pas atij vendimi, që, sipas Bosman, nuk ka shërbyer për asgjë: “Tani klubet e përdorin si një mënyrë për të fituar akoma më shumë dhe u kanë hequr përsëri kontrollin futbollistëve”.