Nga Fondi i Shëndetësisë konfirmojnë se Klinika e psikiatrisë ka kërkuar përfshirjen e medikamenteve të reja në listën pozitive, por për shkak të buxhetit, të njëjtat akoma nuk janë shqyrtuar
Delvina KËRLUKU
Shkup, 9 tetor – Problemet e diagnostifikuara me çrregullime psikike apo depresive, skizofrene dhe prapambetjet mendore çdo ditë e më shumë shënojnë rritje tek pacientët. Madje, problemet në fjalë po shënojnë rritje edhe tek të rinjtë, sidomos tek ata që përdorin lëndë të ndryshme narkotike, pije alkoolike, dhe tek ata që po vizitojnë lojërat e fatit, shkruan gazeta KOHA. Në krye të listës së këtyre diagnozave vazhdon të qëndrojë depresioni, ndërsa këtë vit numri i ekzaminuar në qendrat shëndetësore është mbi 15.000, që është 10 për qind më shumë se vitin e kaluar.
Edhe çrregullimet e fëmijëve janë gjithashtu në rritje. Sistemi aktual i shëndetit mendor në vend vazhdon të jetë i karakterizuar nga sistemi i vjetruar, pa amputimin e risive që po zbulon mjekësia. Spitalet psikiatrike janë në gjendje të keqe dhe në kushte të rënda, me një mungesë të shërbimeve mjekësore, pa alternativa të shumta për trajtim në spitale, mungesë e programeve për parandalimin dhe rehabilitimin e pacientëve në shoqërinë më të gjerë. Në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se me reformat e nisura, po bëhet përpjekje për përmirëimin e gjendjes. Megjithatë, ajo që vihet në pah është edhe mungesa e medikamenteve. Pacientët në psikiatri i trajtojnë me terapi të vjetër. Për më shumë se një dekadë ekziston vetëm një ilaç i ri për skizofreninë në listën pozitive.
Ata që privatisht e blejnë, ndajnë deri në 20.000 denarë. E ngjashme është edhe gjendja me trajtimin e depresionit. Klinika e Psikiatrisë pranon se medikamentet e reja nuk janë në dispozicion të tyre. Drejtori i Klinikës në fjalë, dr.Stojan Bajraktarov, thotë se ka kohë që pritet të përfshihen ilaçe të reja për këtë kategori të njerëzve në listën pozitive.
“Aktualisht, përdorimi i barnave të reja nuk është i disponueshëm. Është vetëm një medikament që përdorim dhe për një medikament tjetër presim miratimin nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore”, tha Bajraktarov. Nga Fondi i Shëndetësisë konfirmojnë se Klinika e psikiatrisë ka kërkuar përfshirjen e medikamenteve të reja në listën pozitive, por të njëjtat janë në shqyrtim e sipër. “Kërkesa e parashtruar nga Klinika universitare e psikiatrisë ka të bëjë me ilaçet që nuk janë në listën pozitive të Fondit. Për barnat që nuk janë në listën pozitive, Fondi jep pëlqim në kuadër të buxhetit që posedon vetë Klinika, mirëpo në rastin e Klinikës për psikiatri, buxheti të cilin e posedojmë, nuk mjafton për tu furnizuar me ilaçin e nevojshëm, ndërsa nga ana tjetër, Fondi nuk posedon me mjete shtesë financiare për ta rritur buxhetin e Klinikës për psikiatri”.
Sipas mundësive dhe mjeteve që do të jenë në dispozicion, kërkesa e Klinikës për psikiatri do të merret në konsideratë kur të hartohet plan-buxheti për vitin e ardhshëm 2019, thonë nga FSSHM për gazetën KOHA. Tashmë Ministria e Shëndetësisë thotë se po përgatitet Strategjisë afatgjate për trajtimin e sëmundjeve mendore, ndër të tjera edhe forcimin dhe rinovimin e spitaleve psikiatrike, si dhe hapjen e më shumë qendrave në të gjithë shtetin. Aktualisht janë pesë dhe sipas standardeve evropiane llogaritur në numrin e popullatës dhe numrin e pacientëve, mungojnë edhe tre herë më shumë qendra të këtilla.
Psikoterapisti Migjen Amzai thotë për KOHA se në Klinikën psikiatrike në Shkup, kryesojnë pacientët meshkuj me çrregullime nerotike. Çdo ditë vizitohen nga tre persona të rinj, ndërsa Amzai thotë se është shqetësuese gjendja, pasi po rritet edhe numri i pacientëve me ndrydhje emocionale dhe kjo si shkak i jetesës patriarkale, sidomos në ato vende ku jetojnë 20 anëtarë në një familje. Papunësia, pasiguria, gjendja e personit kur ndjehet i pakuptuar nga të tjerët… janë disa nga faktorët që ndikojnë në problemet e shëndetit mendor. Psikiatrit shton se ka pacientë me shenja të thella të skizofrenisë, ndërsa kjo sëmundje po kap edhe personat nga mosha 21 vjeçare.
Ndryshe, të dhënat tregojnë se në botë më shumë se 450 milionë njerëz vuajnë nga çrregullime mendore. OBSH vlerëson se rreth 151 milionë njerëz vuajnë nga depresioni, 26 milionë nga skizofrenia, dhe 125 milionë janë të ballafaquar me çrregullime që lidhen me përdorimin e alkoolit. (koha.mk)