Sot në orët e pasditës në komunën Aerodrom të Shkupit në afërsi të lokalit “Get Kafe” është vrarë ish futbollisti i ekipit të Ligës së dytë Llokomotiva, Martin Janushev. Sipas informacioneve të MPB, rreth orës 17:40 ka ndodhur një incident i armatosur në lokalin në rrugën “Vlladimir Komarov”. Sulmuesi me armë zjarri ka shtënë në drejtim të Martin Janushevit, i cili menjëherë është dërguar në Spitalin e qytetit. Por, siç kanë informuar më pastaj nga Ministria e shëndetësisë, 25 vjeçari Janushev është sjell pa shenja për jetë.
“Në lidhje me trajtimin mjekësor të personit të vrarë në Aerodrom, ju informojmë se personi është sjellë në spitalin “Sbën Naum Ohridski” pa shenja për jetë. Përkundër tentimeve për rianimim, mjekët nuk arritën për ta kthyer në jetë’’, thuhet në kumtesën e Ministrisë së shëndetësisë.
Sipas dëshmitarëve okular, mbi Janushevin janë shtënë 4-5 plumba në kokë dhe në qafë. Motivi dhe shkaqet ende janë të panjohura.