Lëreni VMRO-në të shkatërrohet si parti por pa rehabilituar individët. Kaq shumë vite kriminalitet nuk mund të shpaguhen edhe nëse ju e dëshironi ta bëni këtë gjë, ndoshta sepse ata sidoqoftë janë maqedonas, janë tuajët. Mos vrisni besimin e pjesës së ndershme të popullsisë tek drejtësia dhe mos krijoni precedentë të frikshëm. Tani që NATO-n e kemi të sigurt, punoni edhe për të na siguruar rend dhe zbatim të ligjit brenda vendit
Nga Aurora N. KARAMETI
Ethet e së premtes këtë herë na dolën për mirë. Përfaqësuesit e popullit në kuvend e treguan përfundimisht se kush e do dhe kush nuk e do vërtet Maqedoninë. Shqiptarët, të gjithë pa përjashtim vërtetuan se janë për ekzistencën e këtij shteti si pjesë e aleancave perëndimore. Partia social-demokrate gjithashtu. Përfaqësuesit e VMRO-së e treguan se janë veçse një organizatë me qëllime terroriste dhe anarshiste, që merret me politikë. Këtë e treguan edhe me votat “kundër” edhe me votat “për”.
Kjo parti as që ka vizion për shtetin. Para zgjedhjeve punonte vetëm për tu pasuruar ; pas zgjedhjeve punon vetëm për ta ruajtur pasurinë, jashtë hekurave të burgjeve. Ata deputetë të VMRO-së që të premten votuan pro gjithsesi i përgëzoj, sepse votat e tyre zhbllokuan situatën. Por nga ana tjetër, simpatizantët e verbër VMRO-istë le ta kuptojnë se katër deputetët e liruar nga burgjet votuan vetëm për të shpëtuar lëkurën e tyre, vetëm për tu liruar nga akuzat për terrorizëm dhe krime të tjera. Pra, ata ishin me VMRO-në për interesa dhe u kthyen me Lsdm-në përsëri për interesa personale. Po sikur të gjithë deputetët e VMRO-së që kanë abuzuar me pushtetin të kishin qenë nëpër burgje para seancës plenare për ndryshimet kushtetuese ? Nëse edhe atyre do tu ishte ofruar “pajtim” apo amnisti, të gjithë do të kishin votuar pro. Në atë rast nuk do arrihej vetëm limiti prej 80 votash por do te kishim një parlament me shumicë pro ndryshimeve kushtetuese, pro marrëveshjes së Prespës, pro NATO-s. Popull përkrahës i VMRO-së, këta katër deputetë që kaluan në anën e kryeministrit Zaev, me hir apo pahir, dikur për partinë tuaj ishin heronj, sot janë tradhtarë…
Dikur jo larg, por vetëm një vit më parë deputetët e votuar nga ju hapën dyert e parlamentit për huliganë të porositur që çuan pranë vdekjes një deputet shqiptar, që gjakosën kryeministrin e sotëm, tërhoqën për flokësh ministren e sotme të mbrojtjes, rrahën, terrorizuan dhe shkatërruan e turpëruan tempullin e demokracisë. Ish ministrja fashion e kulturës mban mbi supe akuza të rënda për krime ekonomike. Por ja, të premten e bardhë të datës 19 tetor ata u falënderuan nga Zaevi se “vendosën mbi interesin partiak dhe personal, dhe kaluan në anën e interesit shtetëror” dhe u quajtën “heronj”. Në fakt, ata nuk do ta kishin bërë këtë për interesin e përgjithshëm të shtetit , nëse nuk do të ishin nën akuza nga prokuroria speciale për vepra penale aq të rënda si për shembull terrorizmi… ! Tani me siguri edhe Gruevski është duke ua lakmuar situatën këtyre katër kriminelëve-heronj. Ah sikur Zaev ti kishte kërkuar edhe atij një votë dhe ta amnistonte!
Edhe politikan miliarder, edhe hero do ishte! Sigurisht që liria e katër kriminelëve nuk vlen aq shumë sa anëtarësimi në NATO, thënë thjeshtë ! Por a mos jemi duke jetuar klimaksin e degradimit të sistemit të drejtësisë në Maqedoni ? Dëshirën e mirë të Zaevit për të bërë politikë progresiste të pajtimit mbi interesat partiake dhe revanshizmat ordinerë e kuptoj shumë mirë dhe e justifikoj, nisur nga qëllimet madhore të një shteti të ngecur si ne. Por mos jemi duke parë skena të gjalla si nga filmi Cliffhanger?
Po, disa i pamë dhe i përjetuam gjatë përpjekjeve për mbijetesë nën regjimin fashist të VMRO-se ku njeriu dënohej me burg se vidhte një bukë por sot, në mënyrë spektakolare po shohim si po lirohen nga burgu kriminelët e kalibrit të lartë, madje me ofertë nga shefi i qeverisë për pajtim! Kryeministrit Zaev i lutem publikisht të mos na bëjë të besojmë skenën e filmit ku përdoret thënia e shkrimtarit francez Jean Rostand “Vret një njeri dhe te quajnë vrasës, vret shume njerëz dhe të quajnë sfidant, i vret të gjithë dhe bëhesh zot”.
Tani shteti do tu ofrojë mbrojtje këtyre terroristeve të djeshëm sepse sot na u bënë heronj meqë na dhanë një votë. Dmth. ata që na mbajtën jashtë Nato-s dhe BE-së me dekada, në vend që të paguajnë dëmet dhe të kthejnë paratë e vjedhura nga buxheti i shtetit, na vënë në pozicion tu themi ‘falemnderit që s’po na pengoni më’ dhe tu sigurojmë mbrojtje shtetërore! Ndërsa ne që nuk vodhëm, nuk bëmë krime, që hoqëm në kurriz vuajtjet që na shkaktoi ai sistem si edhe që bëmë çmos që ai sistem të binte, jo vetëm që nuk kemi mbrojtje nga shteti, por do i kemi përsëri të lirë vërdallë këta sfidantët që në pushtet ishin dje dhe me pushtetin janë sot!
Dhunuesit e banesës sime para disa vitesh nuk u gjenden kurrë nga policia. Mos ndoshta siguria ime dhe e gjithë atyre si unë nuk vlen aq sa siguria e deputetëve maqedonas VMRO-istë ? Partia e këtyre “heronjve” të sotëm, gjatë dekadës së kaluar ka bërë në Maqedoni akte të absurdit ekstrem, të nivelit të definuar nga Rostand në gjysmën e parë të shekullit XX. Vrau me politiken antinjerëzore a sidomos antishqiptare dhe madje pushtetin e pakufizuar na e përplaste në fytyrë me gjakftohtësi ironike, dënoi dhe futi nëpër burgje njerëz të pafajshëm dhe shkatërroi jetën dhe të ardhmen e gati një milion njerëzve që ishin jo-VMRO. Ajo parti punonte si një bandë. Ata ishin madje të admiruar nga përkrahësit e tyre si ‘shumë të aftë t’ua tregojnë vendin shqiptarëve’, ishin të paprekshëm dhe madje arritën të pasurohen më shumë sesa po të kishin biznese në Amerikë…
Gruevski i pashkolluar arriti të bëhej idhull i shumë gjysmakëve të frustruar që e shihnin atë si model suksesi. Arriti të vriste vlerat, drejtësinë dhe madje moralin në masë të madhe por, falë Zotit jo të gjithë, e të bëhej zot ! E kjo jo për meritën tonë por për meritën a ndërkombëtarëve. Sidoqoftë, këto dëme morale si edhe qindra milionat e vjedhura do të duhet përsëri ti paguajnë jo-heronjtë. Prandaj, z. kryeministër, mos i ktheni kriminelët në “të dashur deputetë” – sfidantë të sistemit të drejtësisë në Maqedoni.
Z. kryeministër, mos vërtetoni edhe ju se në këtë vend krimineli me pushtet vlen më shumë sesa qytetari i ndershëm pa pushtet. Bëtë mirë që u ofruat kompromis por mos u jepni më shumë se kaq, mjaft ! Lëreni VMRO-në të shkatërrohet si parti por pa rehabilituar individët. Kaq shumë vite kriminalitet nuk mund të shpaguhen edhe nëse ju e dëshironi ta bëni këtë gjë, ndoshta sepse ata sidoqoftë janë maqedonas, janë tuajët. Mos vrisni besimin e pjesës së ndershme të popullsisë tek drejtësia dhe mos krijoni precedentë të frikshëm. Tani që NATO-n e kemi të sigurt, punoni edhe për të na siguruar rend dhe zbatim të ligjit brenda vendit. (koha.mk)