Bujar KURTAJ
Shkup, 10 janar – I ri në moshë, vetëm 34 vjeç, por sukseset nuk i mungojnë. Falë dy fitoreve të tij në vitin 2002/2003 KM ‘Liria’ u shpall kampion i Maqedonisë, ndërsa në Lojërat Olimpike për të rinj në Varna të Bullgarisë arriti të zen vendin e dytë, ndërsa në Maqedoni në kategorinë e tij nuk ka pasur konkurrencë, duke triumfuar në të gjitha grupmoshat. Pas përfundimit të karrierës falë dashurisë së tij që kishte për KM ‘Liria’, anëtarët më të vjetër në vitin 2010 ia besuan postin e kryetarit të klubit, të cilin me shumë sukses e udhëhoqi deri më 28 dhjetor të vitit 2016, kur u emërua për kryetar i Federatës së Mundjes të Maqedonisë. Fjala është për Betim Vrenezin, kryetarin aktual të Federatës së Mundjes të Maqedonisë, i cili në intervistën për gazetën KOHA, rrëfen rrugëtimin e tij deri te ky post, por edhe sukseset e tjera të tij. Gjithashtu ai flet edhe për, siç e çuan “babin e sportit shqiptar’, Mentaz Allajbegu dhe premtimit që i dha para delegatëve të tjerë nga klubet në Maqedoni, se do t’i bëjë në mandatin e tij në krye të mundjes.
KOHA: Betim 28 dhjetori do ta mbash mend gjatë kohë, duke marr parasysh se po në këtë ditë u zgjodhe kryetar i Federatës së Mundjes të Maqedonisë? Çka paraqet kjo për ty?
VRENEZI: Kjo për mua paraqet një sukses i radhës që rrjedh prej klubit të mundjes ‘Liria’. Për të arritur deri këtu, duhet të dëshmosh veten pikërisht tani ku jam caktuar dhe që u zgjodha më 18 dhjetor. Pra, klubet e zgjedhin personin që duhet të udhëheq Federatën. Kurse unë aty pa dyshim që jam, ndërsa meritat për këtë post i ka edhe KM “Liria”, ku siç e dini, isha si kryetar dhe punën që kam bërë dhe me rezultatet që i kemi arritur, m’u dha besimi që të bëhem edhe kryetar i Federatës së Mundjes të Maqedonisë.
KOHA: Çka ju shtyri të kandidoheni për këtë post?
VRENEZI: Duke i parë problemet e mëdha, me të cilat që u ballafaqoheshim në Federatë, padrejtësitë që bëheshin ndaj shqiptarëve dhe njëkohësisht dallimeve të mëdha mes etniteteve, kurse në anën tjetër mundja dominohej nga klubet dhe mundësit shqiptar, kjo bërë që unë të ngre zërin dhe të marr iniciativë dhe t’i inicioj ndryshimet në shtëpinë e mundjes. Nuk është vetëm kjo arsyeja që unë u kandidova për postin e kryetarit, por ka pasur edhe probleme tjera si bllokimi i xhirollogarisë nga ana a e FILA-s për shkak të borxhit, ku si rezultat i kësaj, vitin që e lamë pas, nuk kemi marr pjesë në Kampionat evropian për kadetë, Kampionat botëror për juniorë, Kampionatet Ballkanike për kadetë dhe juniorë dhe shumë turnirë tjera ndërkombëtare, që është një turp i madh për mundjen e Maqedonisë. Kjo bëri që unë, bashkë me disa të tjerë, të marrim masa dhe të bëjmë ndryshime dhe falë Zotit ia arritëm qëllimit.
KOHA: A ishte vështirë rrugëtimi yt deri në caktimin e kuvendit të jashtëzakonshëm dhe a keni hasur në pengesa ju dhe nënkryetari i ri, Dejan Bogdanov?
VRENEZI: Pengesa të mëdha kemi pasur. Me Dejan Bogdanovin kam realizuar dy-tre takime. Biseduam dhe erdhëm në përfundim se personi i cili duhet ta udhëheq Federatën duhet të jetë i zgjedhur prej klubeve. Vendosëm që në mbledhjen e radhës që do të mbahej në Federatë të kërkojmë që të bëjmë një Kuvend të jashtëzakonshëm për t’i zgjedhur problemet me të cilat ballafaqoheshim. Ishte vështirë për të caktuar atë kuvend, por falë angazhimit tim dhe Bogdanovit, ky kuvend u mbajt dhe u caktua struktura e re.
KOHA: Kemi informacione se në mesin e atyre që nuk ju bashkëngjitën në caktimin e këtij kuvendi ka edhe shqiptar, kurse shumica e klubeve maqedonase ju dhanë përkrahje maksimale. Sa është e vërtetë kjo?
VRENEZI: Po, është e vërtetë se në mesin e atyre që nuk iu bashkëngjitën nismës time dhe Bogdanovit ka edhe shqiptar, pra është KM ‘Tefejuz”, KM ‘Çair” si dhe dy klube tjera maqedonase. Mirëpo, ajo është e drejta e atyre, pasi ne dhe ata që na përkrahën i dinë qëllimet tona, sidomos qëllimet e mia pasi unë e kam dëshmuar veten dhe nuk kanë nevojë të më shohin mua, Betim Vrenezin, por le ta shohin KM “Liria’ ku ka qenë dhe ku është tani, dhe pastaj do ta kuptojnë se me cilin person kanë punë. Unë atyre me punën që do ta bëj, do t’ua dëshmoj dhe do t’i bindi se kush jam dhe cilat janë idetë e mia që do t’i zbatoj me udhëheqjen e Federatës.
KOHA: Në programin tuaj kur morët besimin, premtuat shumë. A mund ta na i tregoni se ku do të përqendroheni më tepër dhe cili do të jetë hapi i par i juaj?
VRENEZI: Hapi i parë të cilin do ta bëj, do të jetë zhbllokimi i xhirollogarisë dhe automatikisht pastaj do të kemi të drejtë të marrim pjesë në të gjitha garat ndërkombëtare, pastaj do të bëhet mobilizimi te klubet dhe do të shohim se çka ju mungon atyre dhe çka duhet të bëjmë që ta rikthejmë mundjen në numër më të madh, ndërsa pas një ose dy viteve do ta formojmë edhe Ligën e mundjes. Në fakt, pas emërimit tim para delegatëve të të gjitha klubeve që përkrahën iniciativën i dhashë katër premtime. Kotizimi për të cilin kanë paguar më herët klubet nuk do të paguajnë më, legjitimacionet e mundësve që do të paraqiten për gara gjatë vitit edhe ata do të lirohen nga pagesat, pastaj të gjitha klubeve në Maqedoni do t’u dhurojmë veshje sportive, derisa klubet që nuk do të kenë mundësi financiare të marrin pjesë në garat vendore (kampionati zgjedhor e shtetëror), ne si Federatë do t’ua mbulojmë atyre harxhimet dhe disa gjëra tjera të cilët në bashkëpunim me nënkryetarin Bogdanov do të fillojmë ti realizojmë.
KOHA: Me emërimin tuaj për kryetar i Federatës, do të thotë se do të largoheni nga posti i kryetarit të KM “Liria”, post të cilin e keni udhëhequr me mjaftë sukses. Kush do ta zëvendësojë Betimin në këtë post?
VRENEZI: Meqenëse kjo punë e caktimit të kuvendit të jashtëzakonshëm erdhi si shpejtë, kryesia e klubit është takuar, por më tepër kemi qenë të përqendruar te ajo se çka do të ndodh në Federatë. Mendoj se kjo çështje do të zgjidhet shumë shpejtë dhe do të mësohet se kush do të jetë kryetari i ri i klubit më të suksesshëm shqiptar.
KOHA: Kur jemi te KM Liria, a mund të na tregoni sukseset që ky klub i arriti gjatë udhëheqjes tuaj?
VRENEZI: Në postin e kryetarit të KM ‘Liria’ jam nga viti 2010, ndërsa rezultatet janë evidente dhe shumë të mëdha. Kemi rikthyer medaljet që me vite të tëra kanë munguar, si ajo evropiane, mesdhetare, ballkanike dhe shumë medalje tjera. Në dy vitet e fundit u shpallëm klubi më i mirë në Maqedoni dhe fituam trofeun e Kupës dy vjet me radhë. Pastaj, kemi kampionin ballkanik, talentin e madh Besir Alilin, kur për herë të fundit këtë medalje e kemi fituar në vitin 1991, mos ta harrojmë pastaj Elmedin Sejfullahun, i cili fitoi dy medalje të bronzit nga kampionatet evropiane dhe shumë e shumë rezultate tjera të cilat na kanë munguar një kohë të gjatë.
KOHA: Po sukseset derisa merreshit me mundje, mund të na i tregoni?
VRENEZI: Ne kemi qenë një gjeneratë që na ka udhëhequr i ndjeri Mentaz Allajbegu dhe Hajrush Sinani. Kam qenë kampion i shumëfishtë i Maqedonisë në të gjitha grupmoshat, pastaj pjesëmarrës në Kampionat Evropian dhe Botëror, ndërsa rezultati im më i mirë është në Lojërat Olimpike për të rinj, i cili u mbajt në Varna të Bullgarisë, ku arrit ta zë vendin e dytë, pastaj jam Kampion Ballkanik për polic që u mbajt në Ohër dhe i katërti në KE për polic që u mbajt në Greqi. Ajo që më lenë përshtypje më së shumti është që KM ‘Liria’ dy herë është shpall kampion në Ligën e Maqedonisë falë dy fitoreve të mia në vitin 2002/2003.
KOHA: Është paralajmëruar se në Shkup dhe Prishtinë do të vendoset busti i të ndjerit Mentaz Allajbegu. Mund të na tregoni më shumë rreth kësaj iniciative nga ana e nipit të të ndjerit Arben Allajbegu?
VRENEZI: Iniciativa është marr nga nipi i tij, ndërsa nga familja e Mentazit unë jam caktuar që bashkë me kryetarin e Komunës së Çairit Izet Mexhiti, të gjejmë një vend më të përshtatshëm për ta vendosur atë bust.
KOHA: Personalisht ju, por edhe ata që kanë punuar me të ndjerin Mentaz Allajbegu, shpesh e kujtoni atë. Mendoni se i ndjeri po i mungon shumë mundësve por edhe sportistëve tjerë shqiptar?
VRENEZI: Për të folur dhe për të shkruar për Mentaz Allajbegun nevojitet shumë kohë dhe hapësirë. Ai ishte një njeri që dha shumë për sportin, jo vetëm në Maqedoni, por në të gjitha trojet shqiptare. Mua më vjen shumë keq që disa persona po e njollosin figurën dhe veprën e tij. Janë disa njerëz që në të kaluarën nuk kanë ditur ta shkruajnë as emrin e tij, ndërsa Mentazi i ka bërë ata kampionë, dhe pikërisht ata sot dalin dhe flasin keq për të ndjerin. Ne si klub jemi në një situatë shumë të keqe dhe për këtë arsye kemi marr një iniciativë që të bëjmë një libër ku do të tregohen të gjitha të vërtetat, sepse aktualisht kanë dal shumë gjëra të pavërteta në këtë kohë që janë drejtuar në adresë të të ndjerit, ndërsa ne kemi shumë dëshmi për të treguar të vërtetën. Pikërisht shkaku i këtyre problemeve, ai na mungon shumë. Do të donim që këta persona të dalin dhe ta kishin parë fytyrën e tij dhe t’ia thonë nëse kishin mundur ato fjalë. Ne, por edhe familja e të ndjerit po ‘luftojmë’ që me mundësitë e tona të mos bëhen shpifje dhe mos të njolloset emri i tij, pasi jo rastësisht të gjithë thonë se ai është babai i sportit shqiptar.
KOHA: Për ti arritur të gjithë këto që i keni arritur ju duhet mund, sakrificë dhe mbështetje. Si i arrini këto dhe nga kush keni pasur mbështetje?
VRENEZI: Për t’i arritur të gjithë këto fillimisht nevojitet që shumë gjëra ti harrosh ose siç thonë mos të merresh me fjalë të kota. Personalisht unë nuk jam marr me fjalë të kota dhe thashetheme, por jam drejtuar në qëllimin tim që si sportist dhe si kryetar, e kam ditur se çka i nevojitet klubit dhe si duhet të funksionojë ai. Do të kisha përmendur disa persona të cilët më kanë ndihmuar shumë kur u bëra kryetar i KM ‘Liria’ në arritjen e shumë rezultateve dhe ata janë Ejup Ademi, Muhamed Llamallari, Altin Maliqi, Ismail Abazi dhe kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, i cili çdo për çdo aktivitet na ka përkrahur, por edhe mos të harrojmë edhe ndihmën e dashamirëve të tjerë.
KOHA: Si është bashkëpunimi me klubet tjera nga Shqipëria dhe Kosova përfshi këtu edhe bashkëpunimin mes Federatave?
VRENEZI: Bashkëpunimi me Federatën e Kosovës dhe Shqipërisë është shumë i mirë. Me kryetarin e Mundjes së Kosovës Fatmir Muja dhe atë të Shqipërisë Martin Bibaj kemi bashkëpunim shumë të mirë. Kemi disa turnirë që i mbajmë dhe që ata vijnë dhe na nderojnë dhe anasjelltas. Shumë shpejtë pretendojmë që ta bëjmë një kamp të përbashkët dhe mendoj se së bashku do të arrijmë që ta rrisim cilësinë e mundjes dhe të arrijmë rezultate sa më të mëdha.
KOHA: Jeni i martuar dhe keni tre djem. A donë të thotë se edhe djemtë do të shkojnë pas hapave të babait të tyre, ose do të merren me ndonjë sport tjetër?
VRENEZI: Dëshira e çdo prini është që fëmija i tij ta ndjek sportin me të cilin është marr prindi i tij, prandaj dëshira ime është që edhe djemtë e mi të ndjekin hapat e babait të tyre. Por, unë njëherë do të koncentrohem në arsimimin e tyre, dhe më pas të paktën njëri prej tyre të merret me mundje, por edhe nëse merren me ndonjë sport tjetër, nuk do të kundërshtoj.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.