Viti 2018 dhe 2019 Maqedonia do të jetë qendra e Evropës, pasi pos Evropianit për kadet i cili do të mbahet në muajin maj, në muajin shtator (25-30) të këtij viti e kemi Kampionatin Botëror për veteranë, derisa në vitin 2019 do të Maqedonia do të jetë organizatore e Kampionatit Evropian për pionier.
Bujar KURTAJ
Shkup, 4 prill – Sot Federata e Mundjes së Maqedonisë ka marr një lajm shumë të mirë nga ana e Federatës Ndërkombëtare të Mundjes (UWW), ku kjo e fundit ia ka dhënë të drejtën për të organizuar Kampionatin Evropian për kadet në Shkup. Ndryshe, këtë lajm dje e konfirmoi edhe vet kryetari i këtij institucioni Betim Vrenezi, në konferencën për shtyp para gazetarëve. Me këtë dhe me aktivitetet tjera që janë ndërmarr, Vrenezi tha se mundjes në Maqedoni po i rikthehet fama e dikurshme, kur ky sport ishte numër një në vendin tonë.
“Nga 12 e deri më 20 maj do të jemi nikoqir i një evenimenti të madh siç është Kampionati Evropian për kadet. Atë që dua ta them është se ky organizim njëherë i ishte dhënë Ukrainës, por për shkak të disa problemeve teknike, ky eveniment nuk do të mbahet në Kiev. Pasi ukrainasve iu është marr e drejta e organizimit më kontaktoi njeriu i parë të UWW Nenad Llalloviç, dhe më pyeti se a jemi të gatshëm që të organizojmë këtë eveniment. Unë në ato momente pasi ishte një periudhë e shkurtër isha i hutuar dhe i thash se ne jemi të gatshëm dhe jemi duke punuar për Kampionatin Botëror për veteranë të cilin ne do ta organizojmë ne këtë vit, pra në muajin shtator dhe evropiani për kadet doli krejt papritmas. Por, më pas ai më tha se ne mund ta bëjmë këtë dhe se do ai të dërgo një ekip, i cili do të na ndihmojë rreth organizimit”, u shpreh në fillim Vrenezi.
Ndërkaq, viti 2018 dhe 2019 Maqedonia do të jetë qendra e Evropës, pasi pos Evropianit për kadet i cili do të mbahet në muajin maj, në muajin shtator (25-30) të këtij viti e kemi Kampionatin Botëror për veteranë, derisa në vitin 2019 do të Maqedonia do të jetë organizatore e Kampionatit Evropian për pionier.
“Jam krenar me ketë, jo vetëm unë por edhe nënkryetari Dejan Bogdanov me të cilin arritëm ta rikthejmë mundjen aty ku e ka vendin, pra në majat më të larta të Federatës Botërore të Mundjes dhe tek njerëzit e parë të këtij institucioni”, shtoi më tej Vrenezi. Ndryshe, Vrenezi shpalosi edhe një punë të madhe që është duke e bërë ai dhe institucioni të cilin e drejton ai dhe ajo është se Federata në të ardhmen do të ketë katër sponsor të ri të cilët do të kontribuojnë për mundjen dhe Federatën, diçka që nuk ka ndodhur vitet e fundit.
Ndërkohë, në mbledhjen e fundit Këshillit Drejtues të Federatës së Mundjes, Vrenezi tha se është vendosur që këtë vit të nis projekti për zhvillimin e mundjes në Maqedoni, i cili do të promovohet përmes Shaban Sejdiut dhe Zoran Shorovit, dy legjendat e mëdha të mundjes së Maqedonisë. Këta të dy sipas njeriut të parë të Federatës së Mundjes të Maqedonisë do të jenë edhe në detyrën e mbikëqyrësit të projektit në fjalë.
Në anën tjetër, Shaban Sejdiu dhe Zoran Shorov, u shprehën të kënaqur me këtë dhe u shprehën krenar me këtë projekt. “Jam krenar unë personalisht me projektin dhe me angazhimin e këtyre personave të rinj me plot energji, të cilët janë angazhuar për të ngritur mundjen, që ajo të rikthehet aty ku e meriton në sportet e luftarake“, pohoi Sejdiu, legjenda e gjallë e mundjes së Maqedonisë. “E dimë se mundja nga sporti më i suksesshëm u bë sporti që ka kriza të mëdha. Shpresojë se me këtë ekip do të arrijmë që vijnë në binaret e duhura dhe do të japim gjithçka nga vetvetja, që mundje të rikthehet aty ku e meriton”, tha mes tjerash Shorov. Në fund, u tha katër sponsorëve të rinj do të kontribuojnë edhe pagesën e trajnerëve, ndërsa klubet e mundjes do të pajisen me të gjitha pajisjet e nevojshme për zhvillimin e këtij sporti.