“Kelmendi shtiu mbi Jugosllavinë”, ishte titulli kryesor në gazetën “Politika” të 4 shtatorit. Edhe mediat e tjera jugosllave komentuan ngjashëm. Me një tonë edhe më të ashpër ishin deklaratat e udhëheqësve politik jugosllavë. Anëtarja e Kryesisë së KQ të LKM-ës, Lençe Sofronievska, në referatin e lexuar në mbledhjen e XII të KQ LKM-ës, i cili u mbajt më 23 shtator 1987, ndër të tjerave, shprehet se pas ngjarjes së Paraqinit, udhëheqja politike jugosllave, përkatësisht ajo maqedonase duhet radikalizuar masat represive ndaj popullsisë shqiptare
Nga Qerim LITA
Dhuna, terrori dhe gjenocidi policor jugosllavë ndaj popullsisë shqiptare, që filloi pas demonstratave të muajve mars-prill 1981 në Kosovë u shtri edhe brenda armatës jugosllave, në kuadër të së cilës vepronte Shërbimi Kundërzbulues Ushtarak, që njihej me shkurtesën “KOS” (Kontra-Obaveštajna Služba). Ky shërbim famëkeq, vrau qindra ushtarë të pafajshëm shqiptarë, arrestoi mira të tjerë, ndërkohë ndaj dhjetëra mijërave të tjerë zbatoi masa të rreptë represive si përndjekje, dhunë, torturë etj. Tërë kjo fushatë e egër zbatohej në emër të “zbulimit të veprimtarisë nacionaliste e separatiste”, në radhët e ushtarëve e eprorëve shqiptarë. “…Në Kosovë dhe përreth Kosovës, thuhej në një Analizë të KOS-it, vazhdon veprimtaria subversive nga forcat e ndryshme reaksionare të cilat si qëllim parësor kanë komprometimin e LKJ-ës, forcat e armatosura dhe sistemin shoqëroro-politik në përgjithësi. Në mënyrë intensive, vazhdon veprimtaria e nacionalistëve dhe separatistëve shqiptarë të cilët kanë filluar gjithnjë e më shumë të përdorin metoda të ashpra të veprimit – përveç propagandës subversive, ata avokojnë dhe përgatisin veprime sabotuese-terroriste…”.
E ashtuquajtura “Armata Popullore e Jugosllavisë” (APJ), përbënte pjesën më antidemokratike të shoqërisë së atëhershme jugosllave, për arsye se ajo udhëhiqej nga një numër shumë i madh i eprorëve serb, malazias e maqedonas me orientim pro-rus, përkatësisht stalinist. Shtypi i atëhershëm demokratik jugosllavë, në radhë të parë ai slloven e kroat, si “Mlladina”, “Dello”, “Danas” etj, tek APJ-ja shihnin një “krijesë a-nacionale” e cila paraqiste pengesë në “arritjen e barazisë kombëtare”. Përveçse e kontestonin “karakterin e përgjithshëm jugosllavë”, ata në mënyrë të hapur shkruanin për politikën e saj antisllovene, antikroate e antishqiptare, dhe njëkohësisht mbrojtëse e politikës serbo-madhe në Kosovë. Nisur nga kjo, kërkohej ridefinimi i rolit shoqëror të APJ-së, përkatësisht, ndërprerjen dhe zëvendësimin e saj me “ushtri republikane e krahinore. Në kuadër të këtyre pikëpamjeve, më larg shkoi revista sllovene “Nova Revija”, e cila në vitin 1987 botoi “Programin kombëtar slloven” ku ndër të tjerave në të thuhej: “…Nuk ka asnjë arsye ushtarako-strategjike që do të kërkonte që sllovenët shërbimin ushtarak ta kryenin në mjedis dhe nën komandë të huaj, në gjuhë të huaj, siç kjo është praktikuar në kohën kur ata nuk kanë qenë të pavarur, si dhe arsyet që në territorin e tyre të qëndrojnë njësi ushtarake të huaja të cilat nuk e kuptojnë komandën në gjuhën sllovene…”.
Sipas Analizës me titull “Nacionalizmi në shoqërinë jugosllave sot dhe reflektimi i tij në Armatën Popullore të Jugosllavisë”, të hartuar në janar të vitit 1989 nga KOS-i, rrezikshmërinë më të madh për ekzistimin e shoqërisë jugosllave e paraqiste “nacionalizmi dhe separatizmi” shqiptar. “…Në parim, theksonte Analiza, të gjithë nacionalizmat janë njëlloj agresiv dhe të rrezikshëm për stabilitetin dhe perspektivën e Jugosllavisë…Mirëpo, meqenëse disa forma të nacionalizmit, në rrethana të caktuara mund të përhapen më shumë se nga format tjera të nacionalizmit, madje edhe deri në përmasat e kundërrevolucionit (nacionalizmi shqiptar), është e qartë se në rrethana konkrete ndonjë formë e nacionalizmit realisht mund të imponohet si më e rrezikshme se format tjera…”. Më tej, Analiza ndalej në zbulimin e grupeve ilegale brenda APJ-së, nga viti 1948 e deri në vitin 1988, ku në mënyrë të qartë thuhej: “…përderisa pas vitit 1948, grupi i parë ilegal në APJ, është zbuluar në vitin 1976, ndërkohë, nga viti 1981 e deri më vitin 1988 janë zbuluar gjithsej 243 grupe ilegale nacionaliste në të cilat kanë qenë të përfshirë gjithsej 1.627 pjesëtarë të APJ-së të kombësisë shqiptare…”. Zbulimi i këtyre grupeve sipas viteve ishte si vijon: në vitin 1981- 60 grupe; në vitin 1982 – 70 grupe; në vitin 1983-35 grupe; në vitin 1984-41 grupe; në vitin 1985-6 grupe; në vitin 1986-3 grupe; në vitin 1987 – 5 grupe; dhe, në vitin 1988 – 23 grupe ilegale nga “pozita e nacionalizmit e separatizmit shqiptar”. “…Nga ato grupe të zbuluara, vinte në dukje dokumenti, në 6 prej tyre ishin përfshi edhe disa eprorë, kadet të shkollave ushtarake dhe persona jashtë përbërjes së APJ-së, ndërsa grupet tjera përbëheshin nga ushtarë të kombësisë shqiptare…”.
Ndaj të gjithë atyre ushtarëve shqiptarë u mbajtën procese të montuara nga ana e gjyqeve ushtarake, ku numri më i madh i tyre u dënuan me burg të rëndë, me motivacion se paskan “planifikuar dhe përgatitur aksione më të vrazhda në njësi: vrasje të eprorëve dhe ushtarëve; helmimin e ushqimit dhe të ujit; sabotim dhe diversion; grabitjen e armatimit e të municionit; arratisje grupore nga njësitë së bashku me armatimin; shkuarjen në Kosovë për luftë etj…”.
Të dhënat e mësipërme dëshmojnë qartë për karakterin antishqiptar të APJ-së, e cila erdhi në shprehje veçanërisht pas vitit 1981, ku përveç burgosjeve, kemi një rritje enorme të vrasjeve misterioze të ushtarëve shqiptarë. Komiteti për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut me qendër në Prishtinë, në raportin e tij të 19 qershorit 1990, e paraqet listën prej 33 ushtarëve shqiptarë, të vrarë në harkun kohor janar 1981 – qershor 1990. Mirëpo, kjo listë, siç theksohet në fund të raportit, nuk ishte e plotë, për shkak se në shumicën e rasteve, familjet e ushtarëve të vdekur nuk kishin mundur të shtinin në dorë “aktet e vdekjes” së mjekëve, të rrëmbyer nga autoritetet ushtarake. Sipas disa burimeve tjera, numri i përgjithshëm i ushtarëve të vrarë ishte 65 e jo 33 siç thuhet në raportin e KMDLNJ-ës. Këtë më së miri mund ta shohim në Listën e mëposhtme, në të cilën ofrohen të dhëna konkrete për ushtarët shqiptarë, të vrarë në APJ në harkun kohor 1981-1990:
LISTA E USHTARËVE SHQIPTARË, TË VRARË NË ARMATËN JUGOSLLAVE (1981-1990)
- Besim Xhemë Bajraktari (1958), Junik, Deçan, është vra në vitin 1981;
- Shaban Sadik Prushi (1961), Zylfaj, Gjakovë, është vra në vitin 1981;
- Qerim Abdyrrahman Aliu (1961), Kumanovë, është vra në vitin 1981;
- Halil Habib Hajrulla (1959), Banullë, Lipjan, është vra në vitin 1981;
- Sami Ali Gashi (1961), Prishtinë, është vra në vitin 1981;
- Rrustem Bali Bejta (1956), Prekaz, Skënderaj, është vra në vitin 1981;
- Asllan Ukë Gashi (1959), Suharekë, është vra në vitin 1981;
- Sami Shani Krasniqi (1956), Buçe, Dragash, është vra në vitin 1982;
- Nazmi Avdullah Muja (1961), Gradicë, Drenas, është vra në vitin 1982;
- Shefqet Abdyl Jashari (1958), Prekaz, komuna Skënderaj, u vra në vitin 1982;
- Ismet Muharrem Bojku (1962), Kusari, Gjakovë, është vra në vitin 1982;
- Hasan Telat Sezairi (1959), Gostivar, është vra në vitin 1982;
- Halil Halim Binaku (1952), Gllarevë, Klinë, është vra në vitin 1982;
- Latif Mehmet Zeqiri (1959), Kaçanoll, Mitrovicë, është vra në vitin 1982;
- Rasim Ramadan Zeka (1961), Metrgovc, Podujevë, është vra në vitin 1982;
- Yzeir Rrustem Sadiku (1957), Rahovicë, Preshevë, është vra në vitin 1982;
- Musë Ramadan Hoxha (1965), Bellanicë, Suharekë, është vra në vitin 1982;
- Adem Binak Osmanaj, Turbohovc (1963), Istog, është vra në vitin 1983;
- Mustafë arifPantina (1964), Gllarevë, Klinë, është vra në vitin 1983;
- Enver Selman Elezi (1965), Shkup, është vra në vitin 1983;
- Murat Muharrem Isufi (1965), Haraçinë, Shkup, është vra në vitin 1983;
- Agron Haxhi Ferizi (1957), Kodrali, Deçan, është vra në vitin 1984;
- Ejup Fezë Sahiti (1961), Papazi, Ferizaj, uvra në vitin 1984;
- Naser Shaqir Gashi (1962), Kopiliq i Poshtëm, Skënderaj, është vra në vitin 1984;
- Beqir Aziz Sahiti (1965), Stubëll, Viti, është vra në vitin 1984;
- Abedin Selman Balaj (1960), Korreticë, Drenas, është vra në vitin 1965;
- Malik Milazim Azizi (1965), Koritë, Gostivar, është vra në vitin 1985;
- Mujë Rexhep Maqaj (1965), Cerabreg, Lipjan, është vra në vitin 1985;
- Shemsi Sokol Shala (1965), Rufc i Ri, Lipjan, është vra në vitin 1985;
- Fadil Selim Berdynaj (1963), Radavc, Pejë, është vra në vitin 1985;
- Rexhep Shaban Blakaj (1964), Jabllanicë, Pejë, është vra në vitin 1985;
- Fadil Xhafer Gashi (1965), Doberdol, Podujevë, është vra në vitin 1985;
- Enver Hasi (1965), Poroj, Tetovë, është vra në vitin 1985;
- Haki Rexhep Shatri (1958), Tomoc, Istog, është vra në vitin 1986;
- Erdogan Alajdin Mormorina (1958), Prizren, është vra në vitin 1986;
- Inajet Fuad Istrefi (1966), Veleshtë, Strugë, është vra në vitin 1986;
- Sami Daut Shabani (1961), Zaskok, Ferizaj, është vra në vitin 1986;
- Fatmir Nezir Kurti (1966), Smolicë, Gjakovë, është vra në vitin 1987;
- Myftar Sylë Tali (1965), Babaj i Bokës, Gjakovë, është vra në vitin 1987;
- Ramush Shala (1967), Ponesh, Gjilan, është vra në vitin 1987;
- Aziz Sadik Kelmendi (1967), Karaçicë, Lipjan, banoi në Prizren, është vra në vitin 1987;
- Esat Nysret Ferati (1967), Vërbnicë, Mitrovicë, u vra në vitin 1987;
- Tafil Zahir Hyseni (1962), Lumbardh (Velikorekë), Podujevë, është vra në vitin 1987;
- Besim Hashim Fazliu (1967), Prishtinë, është vra në vitin 1987;
- Ibrahim Isuf Kastrati (1961), Turjakë, Rahovec, është vra në vitin 1987;
- Qani Muharrem Shabani (1965), Rahovec, është vra në vitin 1987;
- Raif Adem Isufi (1960), Kotorr, Skënderaj, është vra në vitin 1987;
- Mustafë Mumin Ramadani (1967), Bozofc, Tetovë, është vra në vitin 1987;
- Bedri Niman Bajgora (1959), Vushtrri, është vra në vitin 1987;
- Neshat Xhafer Gashi (1966), Orrobordë, Istog, është vra në vitin 1988;
- Osman Hajdar Ismajli (1968), Gërbavc, Medvegjë, është vra në vitin 1988;
- Naim Ramadan Ajgeri (1968), Prizren, është vra në vitin 1988;
- Afrim Muhamet Lushtaku (1966), Prekaz, Skënderaj, është vra në vitin 1988;
- Qamil Ramadan Thaçi (1968), Demjan, Gjakovë, është vra në vitin 1988;
- Halim Shaqir Lita (1970), Klinë, është vra në vitin 1989;
- Xhavit Alush Berisha (1967), Prugoc, Prishtnë, është vra në vitin 1989;
- Enver Shaban Ramadani (1970), Brojë, Skënderaj, është vra në vitin 1989;
- Izet Ismajli (1949), Banjë, Vushtrri, është vranë vitin 1989;
- Vahedin Xhemshit Hajrizi (1969), Kuklibeg, Dragash, është vra në vitin 1989;
- Hamit Jahë Haxhiu (1957), Batushë, Gjakovë, është vra në vitin 1990;
- Jetullah Haxhi Desku (1970), Siçevë, Klinë, është vra në vitin 1990;
- Halim Halil Gashi (1969), Akllap, Lipjan, është vra në vitin 1990;
- Xhevdet Hajredin Aruçi (1966), Rezallë, Skënderaj, është vra në vitin 1990;
- Fatmir Adem Tafaj (1970), Grejkoc, Suharekë, është vra në vitin 1990;
- Muhamet Tahir Osmani, Bellofc, Podujevë, është vra në vitin 1990.
Për sa më sipër shihet se numër më të madh të ushtarëve të vrarë kemi gjatë vitit 1987, gjithsej 12 ushtarë, që lidhet drejtpërdrejti me ngjarjen që ndodhi me 3 shtator 1987 në kazermën ushtarake në Paraqin të Serbisë, kur autoritetet ushtarake-policore jugosllave, njoftuan për “vrasjen e katër ushtarëve jugosllavë dhe pesë të tjerëve të plagosur”, vepër, gjoja e kryer nga ushtari shqiptar, Azis Kelmendi, i cili më pas gjoja se “ka kryer vetëvrasje”, në fakt ai qe vrarë nga policia ushtarake.
Kjo ngjarje, e cila ngeli e pazbardhur, sipas të gjitha gjasave, ishte një vepër e inskenuar mirë nga ana e shërbimit sekret ushtarak KOS, aq më tepër kur A. Kelmendit i kishin ngelur vetëm edhe 6 ditë që ta kryente shërbimin ushtarak. Kësaj duhet shtuar edhe, faktin se autoritetet ushtarake jugosllave nuk i lejuan familjes së Kelmendit që ta sheh arkivolin i birit të tyre. Nuk vonoi shumë, autoritetet e atëhershme lokale të Prizrenit, familjes së A. Kelmendit, prindërve, dy vëllezërve dhe motrës, iu kërkua të largoheshin nga Prizreni. Përveç kësaj, ndaj motrës së saj të mitur, filloi procedura për përjashtimin nga shkolla.
Ndërkohë, mediat e atëhershme jugosllave, në radhë të parë ato serbe, maqedonase e malaziase, këtë incident e shfrytëzuan për nxitje të atmosferës politike. “Kelmendi shtiu mbi Jugosllavinë”, ishte titulli kryesor në gazetën “Politika” të 4 shtatorit. Edhe mediat e tjera jugosllave komentuan ngjashëm. Me një tonë edhe më të ashpër ishin deklaratat e udhëheqësve politik jugosllavë. Anëtarja e Kryesisë së KQ të LKM-ës, Lençe Sofronievska, në referatin e lexuar në mbledhjen e XII të KQ LKM-ës, i cili u mbajt më 23 shtator 1987, ndër të tjerave, shprehet se pas ngjarjes së Paraqinit, udhëheqja politike jugosllave, përkatësisht ajo maqedonase duhet radikalizuar masat represive ndaj popullsisë shqiptare: “…Vrasja e katër ushtarëve të ri, shprehet Sofronievska, nga ushtari i ushqyer me ideologji të nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar, paraqet aktin armiqësor terrorist të orientuar kah mbarë vendi, ndaj Armatës Popullore të Jugosllavisë dhe kombeve e kombësive tona mbarë…Kjo flet se ky akt i cili vjen si pasoj dhe shprehje të situatave të përgjithshme të nxitura nga veprimtaria e nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar paraqet vërejtjen e skajshme për mbarë shoqërinë tonë, se duhet në mënyrë radikale ta ndërrojmë vetëdijen dhe sjelljen ndaj tërë asaj që e lind dhe e nxit nacionalizmi dhe pasojat e rënda që burojnë nga ai…”. Po në këtë frymë është edhe fjalimi i kryetarit të KQ LKM-ës, Jakov Llazarovskit, i cili situatën politike e të sigurisë në RS të Maqedonisë, e paraqet si tepër “të ngarkuar me problemin e nacionalizmit e separatizmit shqiptar”. “…Ngjarjet më të reja të ndodhura pas mbledhjes së Nëntë të KQ LKJ-ës e deri te sulmi i fundit më i ashpëri dhe më agresivi ndaj integritetit të APJ-së dhe sigurisë së Jugosllavisë, shprehet Llazarevski, vënë në dukje për eskalimin e mëtutjeshëm të nacionalizmit e separatizmit shqiptar dhe cenimin e marrëdhënieve ndërnacionale në Kosovë e më gjerë… Krejt kjo flet se megjithatë sjellja e përgjithshme e jona nuk korrespondon me kompleksitetin dhe karakterin e situatës dhe në thelb kjo paraqet arsyen më serioze për stërzgjatjen dhe joefikasitetin e aksionit në luftën kundër nacionalizmit e separatizmit shqiptar…”.
Edhe fillimi i vitit 1991 ishte i kobshëm për ushtarët shqiptarë, sepse më 1 janar të atij viti erdhi lajmi i hidhur, se në kazermën e Quprisë së Serbisë, jetën e kishte humbur ushtari Izet Bushi, nga fshati Pustenik, komuna e Kaçanikut. Vdekja (vrasja) e tij, sikurse edhe e dhjetëra të tjerëve gjatë vitit 1991, qe misterioze. Dy ushtarakët jugosllavë, të cilët e përcillnin kufomën i informuan anëtarët e familjes Bushi dhe qytetarët se Izeti paska “bërë vetëvrasje” në orët e hershme të mëngjesit, se si gjoja ky “ia paska rrëmbyer pushkën rojës dhe e paska vrarë veten te parku i automjeteve…”. Varrimi i të ndjerit u krye më 4 janar 1991 në livadhet e Sumrekës të fshatit Pustenik, ku u tubuan mbi 150.000 vetë nga mbarë hapësirat shqiptare. Para masës së tubuar foli nënkryetari i KMDNJ-ës, Prof. Dr. Zekiria Cana, i cili ndër të tjerave tha: “…Sot në janarin e këtij viti u hap edhe një varr…Sot ndodhi ajo që po ndodh që nëntë vjet me radhë…Si mund të quhet ajo Armatë e cila vret bijtë tanë? Kjo që po ngjet, nuk ka ndodhur as në kohën e Perandorisë Osmane, as të Krajlëve të ish Jugosllavisë e tash po ndodh…Kjo armatë nuk është e jona, ku janë motrat dhe nënat jugosllave, a kanë ato fëmijë dhe vëllezër, përse ato nuk po e ngrisin zërin e protestës. Pse Evropa nuk po e ngre zërin për tragjedinë që po ngjet me shqiptarët…etj.”. Lidhur me “vetëvrasjen” e Izet Bushit, reagoi edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (më tej LDK-ë), Ibrahim Rugova, i cili ndër të tjerave kërkoi nga APJ-ja që të jep përgjigje për “pësimet e ushtarëve shqiptarë në armatë”.
Po gjatë atij muaji, u vra edhe një ushtar tjetër shqiptar, Lulzim (Faik) Rexhepi, 23 vjeçar nga Zabeli i Epërm i Drenasit, trupi i të cilit u gjet i vdekur në hekurudhën e Viroviticës (Kroaci) ku shërbente në APJ. Lidhur me vrasjen e L. Rexhepit, sekretari i LDK-ës, Jusuf Buxhovi, në konferencën për shtyp të mbajtur më 18 janar 1991 tha: “…Për fat të keq, të shpeshta janë bërë konferencat tona, në të cilat po mbizotërojnë lajme tragjike. Sikur para dy javësh kur kumtuam, lajmin për vdekjen e ushtarit Izet Bushi nga Kaçaniku edhe sot duhet të komunikojmë lajmin tragjik për vdekjen edhe të një ushtari shqiptar – Lulzim Rexhepit nga Zabeli i Epërm i Gllogovcit i cili vdiq tragjikisht në Viroviticë, duke qenë në shërbim të APJ-së…”. Duke e komentuar njoftimin zyrtar se gjoja i ndjeri paska bërë “vetëvrasje”, refren i cili përsëritej sa herë që bëhej fjalë për të rinjtë shqiptarë, Buxhovi shprehet: “…Është shumë e çuditshme kjo, kur dihet se shqiptarët edhe përkundër rrethanave tragjike nuk kanë treguar shenja as të depresionit individual e as të atij kolektiv, e tash na del se ata masivisht bëjnë vetëvrasje gjatë shërbimit në APJ…”.
Në pjesën e parë të muajit janar, Kryesia e RSFJ-ës, solli vendim për shpërbërjen e të gjitha njësive ushtarake, të cilat nuk ishin pjesë përbërëse e APJ-së, apo e MPB-së, me ç’rast lëshoi një Urdhëresë, përmbajtja e së cilës ishte përsa më poshtë:
“1. Me hyrjen në fuqi të kësaj Urdhërese, në territorin e Jugosllavisë duhet të shpërbëhen të gjitha formacionet e armatosura të cilat nuk janë pjesë e forcave të vetme të armatosura ose të organeve për punë të brendshme të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë dhe organizimi i të cilave nuk është përcaktuar në pajtueshmëri me ligjet dhe dispozitat federative;
- Armatimi dhe pajisja e formacioneve të armatosura nga pika1 të kësaj Urdhërese, t’u dorëzohet menjëherë njësive dhe institucioneve më të afërta të Armatës Popullore të Jugosllavisë, pa marrë parasysh se a është grumbulluar nga organe të caktuara republikane apo gjendet te grupe dhe individ të ndryshëm;
- Personat, të cilët posedojnë armatim ushtarak, municion apo mjete tjera luftarake, janë të obliguar ta dorëzojnë në njësinë apo institucionin më të afërt të Armatës Popullore të Jugosllavisë;
- Aktivitetet nga pika 1-3 nga kjo Urdhëresë duhet të përfundojnë në afat prej dhjetë ditëve nga dita e miratimit. Personat, të cilët obligimet e veta të parapara me këtë urdhëresë do t’i kryejnë në afatin e caktuar, nuk mund të jenë të ftuar në përgjegjësi, ndërsa kundër të tjerëve, të cilët nuk do ta plotësojnë këtë obligim, do të zbatohen masa të parapara me ligj;
- Lidhur me zbatimin e kësaj Urdhërese, sipas vendimit të veçantë të Kryesisë së Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, Armata Popullore e Jugosllavisë do të siguroj mbrojtje për të gjithë qytetarët të mbarë territorit, nëse organet tjera kompetente nuk janë në gjendje këtë ta bëjnë;
- Sekretariati Federativ për Mbrojtje Popullore në kryerjen e shërbimeve dhe punëve inspektuese, të paraparë me ligjin për mbrojtje të përgjithshme popullore, do ta kontrolloj zbatimin e kësaj Urdhërese;
- Zbatimin e kësaj Urdhërese do ta sigurojnë njësitë dhe institucionet e Armatës Popullore të Jugosllavisë të cilat do t’i caktoj Sekretariati Federativ”. (vijon nesër)