Rikualifikimi i veprës në rastin “Sazdovski” nga “dhunë me pasoja vdekje” për të cilën dënimet me burg, lëviz nga 3 deri në 10 vite burg, u bë pas protestave dhe presionit të opinionit që kjo vepër të gjykohet si “vrasje në mënyrë të vrazhdë” për të cilën dënimi më i ulët është 10 vite heqje lirie
Omer XHAFERI
Shkup, 9 nëntor – Besir Bela dhe Skender Dimiri, të akuzuar për “vrasje me paramendim”, të të ndjerit Nikolla Sazdovskit, nuk e kanë pranuar aktakuzën e Prokurorisë së Shkupit, se veprën penale e kanë kryer në mënyrë të vrazhdë dhe me qëllim. Në fjalët hyrëse të avokatëve Naser Raufit dhe Asmir Alispahiç, u tha se në rrjedhën e mëtutjeshëm të këtij procesi gjyqësor do të vërtetojnë se kjo vepër aspak nuk ka të bëjë me vrasje në mënyrë të vrazhdë, shkruan gazeta KOHA. Klienti i tij i akuzuari Besir Bela, sipas avokatit Raufi, duhet të procedohet për veprën penale “dhunë me pasoja vdekje”, siç edhe ishte kualifikim i parë i Prokurorisë së Shkupit.
“Vepra e kryer nga Bela në vetë nuk përmban qëllim, as paramendim dhe aq më pak vullnet për të vrarë të ndjerin. Plaga fatale e të ndjerit ka ardhur si rezultat i goditës së kokës në kutinë e metalit të EVN-së,( në vendin e ngjarjes) me çka ai ka rënë në koma. Elementet e vrasjes në mënyrë të vrazhdë janë tepër të rënda. Kësisoj për të qëndruar kjo vepër, të akuzuarit është dashur ta bëjnë të vuaj të ndjerin, i cili paraprakisht duhet të jetë i vetëdijshëm, respektivisht elemente shtesë për vrasje të vrazhdë është që viktima të maltretohet dhe dhunohet vazhdimisht. Në këtë rast i ndjeri e ka humbur vetëdijen pasi ka rënë në tokë dhe nuk i ka ndjerë dhimbjet nga goditjet. Ku kualifikim i prokurorisë është plotësisht i gabuar”, tha avokati Raufi.
Vlerësimin e ngjashëm me kolegun e tij e ndau edhe avokati Asmir Alispahic, i cili shtoi se me intervistimin e të Skender Demirit, në seancat e ardhshme do të bëhet e qartë e gjithë situata.
Ndryshe, në fjalët e tij hyrëse prokurori, Angel Fidovski, tha se në këtë proces ai do të dëshmon se Bela, Demiri dhe i akuzuari i tretë i cili gjendet në arrati Jeton Luzha, me 29 qershor të këtij viti, rreth orës 17:45 në bulevardin “Aleksandar Makedonski” të akuzuarit janë takuar e të ndjerin Sazdovski.
“Rasti ka ndodhë në stacionin e autobusëve në lagjen Autokomandë, para fabrikës së Alkaloidit. Kështu të akuzuari i janë afruar të ndjerit dhe ia kanë kërkuar letërnjoftimin. Pasi i dëmtuari u ka dhënë letërnjoftimin, atë e kanë pyetur:’Ti je ai Nikolla Sazdovski që e thirrin Sazdo?’. Me të vërtetuar identitetin e tij, të akuzuarit së bashku kanë filluar ta godasin me grushta në kokë dhe gjoks. Nga këto goditje Sazdovski e ka humbur baraspeshën dhe ka rënë në trotuar, gjegjësisht pa asnjë mëshire, gjatë gjithë kohës kanë vazhduar goditjet e rënda në kokë dhe gjoks. Si rezultat i këtyre goditjeve i dëmtuari ka pranuar lëndime të rënda trupore, me rrezik konkret për jetë dhe kështu ka rënë në gjendje kome”, tha prokurori Fidovski.
Siç është e ditur menjëherë pas këtij rasti i ndjeri Sazdovski është transferuar në Qendrën Klinike “Nëna Terezë” dhe si pasojë e lëndimeve të renda, pas dështimit të njëpasnjëshëm të mjekëve për ta kthyer në jetë, ai ka ndërruar jetë me datën 12 qershor.
Ndër të tjera, prokurori i lëndës, shtoi se aktakuza gjatë seancave të ardhshme do të vërtetohet me prezantimin e dëshmive materiale, atyre verbale dhe publikimit të raporteve mjekësore, gjegjësisht ekspertizat e realizuar nga Instituti për mjekësi ligjore dhe ekspertizat e realizuar ndaj dy të akuzuarve.
Njëherit në seancën e parë për rastin “Sazdovski”, në cilësinë e dëshmitareve, u paraqiten familjarë të të ndjerit, i ati Toni Sazdovksi, i cili deklaroi se shumën e dëmshpërblimit që e kërkon nga të akuzuarit do të publikoi në fund të procesit gjyqësor. Përderisa dëshmia e dashnores së të ndjerit Sazdovski, e cila nga afër e ka parë përleshjen mes të akuzuarve dhe të dëmtuarit, në gjykatë u dha pa prezencën e opinionit pasi që personi në fjalë nuk ishte i moshës së rritur. Ndryshe, rikualifikimi i veprës në rastin “Sazdovski” nga “dhunë me pasoja vdekje” për të cilën dënimet me burg, lëviz nga 3 deri në 10 vite burg, u bë pas protestave dhe presionit të opinionit që kjo vepër të gjykohet si “vrasje në mënyrë të vrazhdë” për të cilën dënimi më i ulët është 10 vite heqje lirie. (koha.mk)