Gjykata e Apelit të Kosovës ka vendosur që caktimi i masës së paraburgimit për tre serbët e arrestuar lidhur me vrasjen e Oliver Ivanovic, të rikthehet për rivendosje.
Në arsyetimin e Apelit, thuhet se në vendimin e Gjykatës Themelore nuk janë dhënë arsye të qarta lidhur me faktet se të pandehurit janë duke u hetuar, shkruan gazetametro.net.
“Gjykata Themelore në Prishtinë me një aktvendim të datës 24.11.2018, ua ka caktuar masën e paraburgimit të pandehurve N.S., M.R. dhe D.M., në kohëzgjatje prej një muaji. Dy të parëve për shkak të dyshimit të bazuar së kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 179 lidhur me nenin 33 dhe 34 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ndërsa të pandehurit D.M. për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Zbulim i fshehtësisë zyrtare”, nga neni 433 i po të këtij kodi”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit.
Ndërkaq, duke potencuar se sipas ligjit kërkohet që të qartësohen faktet vendimtare lidhur me dyshimin e bazuar për kryerjen e veprës, Apeli thotë se vendimi i shkallës së parë duhet të anulohet.
“Andaj aktvendimi i shkalles se parë është dashtë të anulohet, ndërsa në rivendosje gjykata themelore duhet t’i kërkoj prokurorisë që kërkesës për caktimin e paraburgimit t’ia bashkëngjisë të gjitha provat në të cilat thirret ajo, e që kanë të bëjnë sidomos me dyshimin e bazuar, ndërsa gjykata pasi të vlerësoj dhe të paraqes konkludimet e saja për secilën, të marr vendim për heqjen ose caktimin e masës së paraburgimit, duke dhënë arsye të çarta dhe konkrete për secilën bazë ligjore”, thuhet tutje aty.
Sidoqoftë, të dyshuarit do të mbesin në paraburgim derisa gjykata e shkallës së parë të mblidhet për ta marrë një vendim të ri.
Ndryshe, nga tre të arrestuarit lidhur me rastin e vrasjes së politikanit serb Ivanovic, dy dyshohen për ‘vrasje e rëndë’ si dhe një zyrtar policor dyshohet për ‘zbulim të fshehtësisë zyrtare’.