Gazetari saudit Jamal Khashoggi, i cili vdiq më 2 tetor, pas hyrjes në konsullatën e vendit të tij në Stamboll, mund të ketë regjistruar me Apple Watch momentin e torturimit dhe vrasjes së tij. Gazeta turke “Sabah” shkruan se pajisja është sinkronizuar me smartfonin e gazetarit, që e posedon gruaja e tij. Khashoggi ka aktivizuar funksionin e regjistrimit në telefon para se të hynin zyrtarët sauditë.
Edhe burime nga hetuesit kanë konfirmuar për Reuters se gazetari kishte një Apple Watch të zi kur ai hyri në konsullatë. Ndërkohë “Sabah”, që citoi “burime të besueshme” ka rindërtuar veprimet e agjentëve të inteligjencës saudite. “Agjentët e Rijad, e kanë kuptuar pas vdekjes së Khashoggi se ora kishte regjistruar vrasjen dhe ata janë përpjekur për të hyrë në qarkun e saj dhe për këtë përdorën shenjat e gishtave të tij. Ata donin të zhbllokonin dhe fshinin disa fotografi, por jo të gjitha”, shkruan media turke.
Por, rindërtimi nuk merr parasysh faktin se Apple Watch, ndryshe nga iPhone, nuk e ka funksionin e zhbllokimit me shenjat e gishtave dhe këtu Rijadi zyrtar ka gjetur alibinë për t’u mbrojtur duke i cilësuar mashtrime ato çka publikohen në mediat turke. Ministri i Brendshëm saudit, Abdulaziz bin Saud bin Naif bin Abdulaziz, hodhi poshtë si “gënjeshtra të pabaza” rindërtimin e zhdukjes së Jamal Khashoggi, sipas të cilit gazetari saudit u vra nga agjentët e shërbimeve sekrete të Riadit në konsullatën e Mbretërisë në Stamboll.