Me çdo fëmijë që vdes, me çdo vepër brutaliteti që kalon pa u ndëshkuar, Guta Lindore vazhdimisht e më shumë po i ngjan asaj që Kofi Annan dikur e quajti krimin më të rëndë të kryer në tokën evropiane që nga 1945. Guta Lindore po kthehet në Srebrenicën e Sirisë. Sikurse enklava e myslimanëve të Bosnjës më 1995, Guta Lindore, në dalje të Damaskut, është rrethuar nga forcat e regjimit që në fazat e para të luftës së Sirisë. Përpjekjet disa vjeçare kanë dështuar për të larguar fraksionet rebele që e kontrollojnë atë, raporton “The Guardian”. Siç ndodhi edhe në Srebrenicë, furnizimi me ushqim, asistenca humanitare dhe mjekësore është ndërprerë. Më 1993, OKB e cilësoi Srebrenicën si “zonë të sigurt”. Vitin e kaluar, si pjesë e procesit të dështuar paqësor të Moskës në Astana, rusët e shpallën Gutën Lindore “zonë de-eskalimi”.
Pa dobi. Sikurse në Bosnje, askush nuk provoi të mbronte popullatën civile kur nisi ofensiva e regjimit atje në dhjetor pas dështimit të negociatave. Sulmet ajrore dhe bombardimet që tani po marrin shumë jetë po ndërmerren pa asnjë ndëshkim nga forcat siriane dhe përkrahësit e tyre rusë. OKB-ja pothuajse iu përgjërua koalicionit pro-Assad, ku përfshihet milicia e udhëhequr nga Irani, që të pajtohen për një armëpushim të menjëhershëm humanitar. Apelet janë injoruar. Edhe lutjet e agjencive humanitare kanë shkuar në veshë të shurdhër.
Vëmendja e fuqive të mëdha – SHBA dhe Rusia – dhe aktorëve rajonalë si Turqia, është e përqendruar në një lojë të madhe strategjike të luajtur mbi kufomat e gjysmë milioni sirianëve. Sytë e tyre janë kah kontrolli në të ardhmen i një vendi të ndarë efektivisht në zona të ndikimit. Për administratën Trump, kjo do të thotë frenim i ambicieve të Iranit për të krijuar një “urë tokësore” për në Mesdhe, apo një “gjysmëhënë shiia” që do të shtrihej nga Herati në Afganistan deri në luginën Bekaa në Liban. Për turqit, e tëra ka të bëjë me shkatërrimin e kurdëve. Për Vladimir Putinin, ka të bëjë me pushtetin. Por për banorët e Gutës Lindore, e tëra ka të bëjë me mbijetesën. Një numër rekord i njerëzve kanë vdekur në 36 orët e fundit në një zonë kur numri total i vdekjeve që nga viti 2011, kur nisi lufta, llogaritet në disa mijëra. Dhe nuk ka shpëtim.
Më shumë se 100 të vdekur, mbi 500 të plagosur dhe pesë spitale të bombarduara. Dhuna është e pamëshirshme dhe padurueshëm mizore. Në Srebrenicë, rreth 8,000 burra dhe fëmijë myslimanë u masakruan në pak ditë. Mes 25,000 dhe 30,000 gra, fëmijë e të moshuar boshnjakë iu nënshtruan zhvendosjes së detyrueshme dhe abuzimit. Tribunali ndërkombëtar për krime lufte për ish-Jugosllavinë më vonë dekretoi se këto krime përbënin gjenocid, transmeton Koha.net.
Në atë kohë, bota qëndroi prapa dhe shihte teksa ushtria e serbëve të Bosnjës e Gjeneralit Ratko Mlladiq dhe paramilitarët ‘Scorpion’ rrethonin zonën, duke tejkaluar paqeruajtësit holandezë. Komuniteti ndërkombëtar e dinte shumë mirë se çfarë mund të bënte Mlladiqi, se masakra ishte e pashmangshme. Shikoi në anën tjetër. Agonia e Gutës Lindore, tashmë e njohur për të keq për sulmin kimik të vitit 2013 me gaz sarin, është më e ngadaltë por e injoruar ngjashëm. Edhe njëherë civilët, përfshirë numër të madh fëmijësh, po vriten. Edhe njëherë, fuqitë perëndimore, me forcat e tyre të vendosura në vend, refuzojnë të intervenojnë. Edhe njëherë, OKB-ja është e pafuqishme, këshilli i sigurimit i pafuqishëm si pasojë e vetove ruse. “Ky mund të jetë një prej sulmeve më të ashpra në historinë siriane, madje më i ashpër se rrethimi i Aleppos… Shënjestrimi dhe vrasja sistematike e civilëve përbën krim lufte dhe komuniteti ndërkombëtar duhet të veprojë për të ndaluar atë”, ka thënë Zaidoun al-Zoabi nga Unioni i pavarur i Organizatave të Kujdesit Mjekësor dhe Ndihmës Humanitare.
Por, së paku për tani, presidenti i Sirisë, Bashar al-Assad – sikurse Mlladiqi më 1995 – duket të jetë i papërshkueshëm nga arsyeja apo presioni i jashtëm. Dëshmitë që implikojnë Assadin në krime lufte dhe në krime kundër njerëzimit janë të shumta. Deri më tani asnjë aktakuzë nuk është ngritur, dhe ai vazhdon i pashqetësuar. Sot, në Gutën Lindore, sikurse në Srebrenicë më 1995, krime të tmerrshme që mund të përbëjnë gjenocid janë duke u kryer. Në nëntor, Mlladiqi përfundimisht u dënua për gjenocid në Hagë. U deshën 22 vjet. Edhe sa fëmijë duhet të vdesin para se të ketë drejtësi në Siri?