Një vajzë jetime kur ishte ende adoleshente u bë snajperiste në konfliktin e përgjakshëm në Ukrainën lindore. Kjo ndodhi përpara se ajo të fitonte një konkurs bukurie. Olga Shishkina, 21 vjeçare, u bë vullnetare për të luftuar për forcat pro-Putin dhe tha se duhej të luftonte për pranimin e saj në forcat ushtarake, pasi fillimisht dyshohej si një spiune ukrainase. Por ajo u bë një nga vrasëset më vdekjeprurës të rebelëve, duke zgjedhur një objektiv nga pothuajse 4.000 metra larg.
“Unë nuk kam vrarë njerëz, nuk është e saktë ta them në këtë mënyrë. Për ne, snajperët, nuk janë njerëz. Ata janë objektiva. Unë i qëlloj objektivat e gjalla dhe shumë shpesh, këto janë armiq. Unë nuk mendoj për ata që qëlloj. Nuk mendoj që ata mund të kenë fëmijë, nënë, familje. Kjo është luftë. Në këtë mënyrë është më e lehtë për mua që të jetoj”, tha Shishknina .
Vajza thotë se nuk i vjen turp nga vetja, sepse nuk ndjen keqardhje për snajperët kundërshtarë. Ajo thotë se nuk ka vrarë civilë. 21-vjeçarja po luftonte për të ashtuquajturën Republika Popullore e Donetskut, një rajon i shkëputur i Ukrainës i mbështetur nga Putini. Dy vjet më parë u transferua në një njësi në qytetin e Donetskut dhe kohët e fundit hyri në një konkurs bukurie – të quajtur ‘Zonja e Republikës’.
“Kur mora pjesë në konkurs, u takova me shumë njerëz dhe kuptova se ka jetë përveç ushtrisë”. Ajo fitoi titullin Lady Transformation – për kalimin e saj nga snajperi në mbretëreshën e bukurisë, duke fituar një laptop të shtrenjtë si çmim.
Tashmë vajza ka hapur një kafe në Donetsk dhe për momentin mendon që të rrijë larg jetës ushtarake. Duke reflektuar në jetën e saj të jashtëzakonshme, tha se ishte një nga 14 fëmijët që kishte lindur nëna e saj – të gjithë të dorëzuar në një jetimore. Babai i saj e mori më vonë, por vdiq kur ishte pesë vjeçe, kështu që u rikthye në kujdesin shtetëror.