Shkup, 26 nëntor – Dy ditë pas vrasjes së Ismet Arifit Koka, në lagjen Fushë Tophane të Shkupit, policia ende nuk ka asnjë të dhënë se kush mund të jetë realizatori i kësaj vrasjeje. Për gazetën KOHA, nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë se ende janë duke punuar në zbardhjen e rastit dhe se pas hetimeve të plota, do të dalin me prononcim zyrtar për opinionin. Përveç të ndjerit Arifi, mbrëmjen e 23 nëntorit nga të shtëna me armë zjarri në rrugën “Ferid Murat”, mbeti i plagosur edhe Qemal Lusjani. Ndryshe, në kumtesën e parë për media nga policia e Shkupit, është njoftuar se para ngjarjes tragjike, Arifi dhe Lusjani kanë qëndruar në çajtoren “Dizeldorf”. Kur kanë dalë nga ky lokal, siç njoftuan nga policia, të njëjtit kanë hipur në automjetin “Passat”, pronë e M.S, e cila ka qenë e parkuar në afërsi çajtores. Pasi tashmë i ndjeri Ismet Arifi, është ulur në vendin e shoferit dhe Qemal Lusjani në vendin e pasagjerit, brenda disa çasteve ndaj tyre janë shkrepur një breshëri plumbash, me çka ekspertiza e policisë ka zbuluar gjithsej 11 gëzhoja. Vrasja, e cila ndodhi ditë më parë në Çair, është regjistruar ende pa mbushur një muaj nga vrasja e cila ndodhi në lagjen Aerodrom të Shkupit, ku futbollisti Martin Janushev, në rrethana ende të paqarta, u vra nga tash personi në kërkim Filip Sekullovski. Ngecje në zbardhjen e një vrasjeje tjetër, policia e shtetit shënon edhe në likuidimin e Dilaver Bojkut nga Struga. Përkundër faktit se ngjarja ka ndodhur tre muaj më parë, ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, ditë më parë theksoi se ende janë duke u zhvilluar hetime për zbulimin e autorëve të kësaj vrasjeje. (koha.mk)