Vrapi, e mira e domosdoshme

43

Kur bëhesh vrapues, kjo të ndryshon jetën. Vrapi konsiderohet si ushtrimi më i mirë aerobik. Por mund të mos e dini se sa përmirëson çdo aspekt. Këtu janë provat e përfitimeve mahnitëse që mund t’ju japë ai

REDUKTON STRESIN. Të vrapuarit, ashtu si shumë ushtrime të tjera fizike është ndihmuesi më i mirë për t’u çliruar nga emocionet negative si dhe stresi. Studimet tregojnë se të rriturit që vrapojnë më shumë, zakonisht janë më të lumtur se ata që nuk vrapojnë. Nëse do të vraponit do të ndiheshit jo vetëm më të lehtësuar, energjik, por edhe më kreativ.

NDIHMON NË HUMBJEN E PESHËS. Humbja e kileve të tepërta është një nga arsyet fillestare pse njerëzit fillojnë vrapin. Meqenëse është një nga ushtrimet më gjithëpërfshirëse, duke përmendur këtu vënien në lëvizje të të gjitha gjymtyrëve, sigurisht që është një ndër aktivitetet fizike më efikase për të humbur peshë. Nëse e kombinoni vrapin me një dietë të shëndetshme, do të ndieni menjëherë një ndryshim në mënyrën se si dukeni.

TË MIRAT QË PËRFITON TRUPI. Të mirat që përfiton jo vetëm trupi por edhe mendja është se teksa vrapojmë ndodh prodhimi i disa substancave të caktuara të njohura si endorfina, që stimulojnë një gjendje të qetë dhe mirë shpirtërore. Të vrapuarit të stimulon sensin e vetpërmbushjes jo vetëm në aspektin shpirtëror, por edhe në atë të realizmit të qëllimeve dhe synimeve jetësore.

TË BËN MË TË BUKUR. Njerëzit që stërviten përmes vrapit duke djegur më shumë kalori kanë mundësi të kenë trup më të tonifikuar sesa ata që nuk e praktikojnë këtë sport. Në fakt, ushtrimet e koordinuara me vrap janë thelbësore dhe të rëndësishme për të mbajtur trupin jo vetëm në formë të mirë shëndetësore por edhe fizike.

REDUKTON VITET. Për momentin ndoshta nuk mund të duket e rëndësishme por trupi juaj do të ndihet në një formë vërtet të mirë kur vitet të kenë kaluar. Studimet kanë vërtetuar se jo vetëm ushtrime të caktuara, por specifikisht të vrapuarit ndihmon vajzat t’i kenë kockat më të forta. Pra është shumë e rëndësishme të vraposh sepse trupi juaj jo vetëm që do të ketë një formë të kënaqshme, por do të duket më pak i plakur me kalimin e viteve.