Rritja e numrit të automjeteve në rrugët e qytetit të Tetovës, ka nxjerr në pah problemin me mungesën e parkimit, prandaj në terren janë tre automjete të merimangës që largojnë veturat e keq parkuara. Nga ana tjetër, policia e Tetovës ka nisur një fushatë edukuese për të vetëdijesuar qytetarët që të mos parkohen vend e pa vend
Urim HASIPI
Tetovë, 16 korrik – Problemi me parkimin në Tetovë ka ngritur alarmin e institucioneve përgjegjëse që merren me këtë problematikë, në veçanti policinë dhe pushtetin lokal. Rritja e numrit të automjeteve në rrugët e qytetit të Tetovës, ka nxjerr në pah problemin me mungesën e parkimit, prandaj në terren janë tre automjete të merimangës që largojnë veturat e keq parkuara. Nga ana tjetër, policia e Tetovës ka nisur një fushatë edukuese për të vetëdijesuar qytetarët që të mos parkohen vend e pa vend. “Departamenti për parandalim pranë Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë, në bashkëpunim me vetëqeverisjen lokale në Tetovë dhe këshillin republikan për siguri në komunikacionin rrugor, ka filluar me realizimin e një fushate për edukim të vozitësve me moton ‘Parkoni si duhet – mundësoni qarkullimin normal’. Nga ana e pjesëtarëve të policisë së Tetovës për vozitësit që nuk do të respektojnë rregullat e parkimit do të ndahen fletushka, ndërsa për ata vozitës që do të parkohen vijat e bardha do të ketë dënime adekuate. Qëllimi i këtij aktiviteti është që të arrihet një ndërgjegjësim më i madh tek vozitësit sidomos gjatë kësaj periudhe kur kemi frekuentim më të madh të automjeteve në rrugët tona me kthimin e mërgimtarëve në vendlindje. Shpresoj se do të kemi vozitës më të kulturuar dhe më të vetëdijesuar në komunikacion”, deklaroi Fatmir Rexhepi, zëdhënës i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë.
Problem në vete është rruga e Ilindenit, ku ka koncentrim më të madh të automjeteve. Në këtë rrugë parkimi paralel është problem që haste për çdo ditë, kurse policia nënvizon se ka angazhuar policë shtesë që të mundësojë zhvillim normal të komunikacionit. “Rruga e Ilindenit është me përmasa më të vogla se bulevardet tjera në qytetin e Tetovës, prandaj edhe shkaktohet kaos më i madh në trafikun rrugor. Gjatë gjithë kohës kemi polic edhe në bulevardin e Ilindenit, kurse sa i përket institucioneve siç janë universitetet, shkollat fillore dhe të mesme dhe mundohemi që arteriet kryesore në qytet ti mbajnë të lira për qarkullim që mos ketë pengesa sepse nëse bllokohet rruga e Ilindenit apo bulevardi iliria, atëherë e kemi të bllokuar tërë qytetin”, tha zëdhënësi Rexhepi.
Poashtu, nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë, kërkohet më shumë kujdes edhe nga vet vozitësit, sepse shpesh herë automjetet e urgjencës nuk mund të arrijnë në kohë shkaku I trafikut të stërngarkuar. “Numri i dënimeve është shumë i lartë, prandaj presim nga qytetarët që të jenë më të kujdesshëm, sidomos kur janë pjesë e komunikacionit në pjesën qendrore të qytetit të Tetovës, sepse jo çdo kush del për qejf në qytet, sepse kemi raste urgjente, zjarr apo aksident, atëherë as ekipet e ndihmës së parë, as zjarrfikësit por as policinë nuk do të arrijë në kohë që të intervenojë”, apelon zëdhënësi i SPB-së në Tetovë Fatmir Rexhepi. (koha.mk)