Urim HASIPI
Tetovë, 8 nëntor – Në prag të muajve të dimrit, kur edhe vështirësohet qarkullimi nëpër rrugët regjionale dhe lokale në shumë vendbanime të Pollogut, policia ka dalë me aktivitete edukative për vozitësit dhe pjesëmarrësit në komunikacion, shkruan gazeta KOHA.
Në këtë periudhë Stacioni policor i Tetovës, për sigurinë në komunikacion rrugor ka filluar me aktivitetet e para informative dhe preventive të planifikuara pikërisht në prag të fillimit të sezonit dimëror, me moton “Kujdes, dimri në rrugë”. Në vigjilje të këtyre aktiviteteve, është mbajtur një takim i përbashkët me përfaqësues të pushtetit lokal nga rajoni i Tetovës, kompanitë të cilat janë të obliguara për mirëmbajtjen e rrugëve dhe Ndërmarrjen publike “Rrugët e Maqedonisë”, në të cilin takim janë përmbledhur aktivitetet konkrete të deritanishme, përgatitjet praktike si dhe janë dakorduar hapat që duhet të ndërmerren muajve në vijim në këtë plan, thotë Marjan Josifoski, zëdhënës i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë. Në këtë takim është bërë vlerësimi i parapërgatitjeve të tyre të deritanishme, ndërsa të pranishmit për së afërmi janë njohur, gjithashtu edhe me implikimet ligjore, nëse në kohë dhe me kualitet nuk kryhen obligimet e tyre në periudhën dimërore dhe nëse nuk sigurojnë lëvizje të lirë dhe papengesa të të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion. Pjesëmarrësve në takim veçanërisht u është theksuar se janë të obliguar që të mënjanojnë të gjitha pengesat për funksionimin normal të komunikacionit, si largimin e borës, gurëve, ngricave dhe të tjera, si dhe në kohë të ndërmarrin masa për heqjen praktike të të njëjtave, në pajtueshmëri me Ligjin për siguri në komunikacionin rrugorë, sipas nenit 15 dhe 16.
Sipas këtij ligji, për mos heqjen e këtyre pengesave ose për mos njoftimin e qytetarëve, është paraparë gjobë prej 2000 euro në kundërvlerë të denarit për personat juridik dhe 600 euro për personat e tyre përgjegjës.
“Sot dhe në ditët e ardhshme, në disa pika në Tetovë dhe rrethinë, ka filluar shpërndarja e fletushkave në gjuhën shqipe dhe gjuhën maqedonase, të cilat përmbajnë këshilla për vozitësit, rreth asaj se si dhe çfarë të bëjnë, gjegjësisht se si të sillen gjatë muajve të dimrit. Gjithsej do të shpërndahen 400 fletushka të këtilla, përderisa në disa vende si pika pagesore për rrugë, objekte publike, stacione për kontroll teknik dhe objekte të tjera, do të shfaqen rreth 50 deri në 60 postera me të njëjtën përmbajtje dhe qëllim. Në këtë mënyrë pritet që sa më shumë të njoftohen vozitësit jo vetëm për atë kur bëhet fjalë për obligimin e tyre që detyrimisht duhet të kenë pajisjet dimërore që fillon nga data 15 e këtij muaji, por edhe për detajet e tjera që ndërlidhen me drejtimin e veturave në kushte dimërore, pajisjet dhe të ngjashme. Për shkak se në kushte dimërore, të gjithë nga pak duhet që të participojnë në zhvillimin normal dhe të sigurt të komunikacionit në rajonin që mbulon sektori për punë të brendshme në Tetovë”, deklaroi Josifoski.
Po ashtu, krahas kësaj, SPB-ja ka filluar me projektin edukativ “Ngrica në rrugë”. Qëllimi i këtij projekti është ulja e numrit të aksidenteve gjatë muajve të dimrit, ndërsa një ndër qëllimet kryesore është ngritja e vetëdijes në komunikacion. Vozitësit gjithashtu duhet që të jenë të kujdesshëm në orët e para të mëngjesit, para se gjithash për shkak të rrugëve të lagura dhe dukshmërisë së ulët. Përderisa në ditët në vijim edhe më shumë do të ulen temperaturat, atëherë është e mundur të paraqiten edhe ngrica në rrugë, para se gjithash në rrugët që shpijnë në fshatrat malorë të këtij rajoni, njoftojnë nga Policia e Tetovës. Vozitësit janë rikujtuar se nga data 15 e këtij muaji, hyn në fuqi obligimi i detyrueshëm për posedim dhe mbajtje të pajisjeve dimërore. Mos respektimi i këtij obligimi sanksionohet me gjobë prej 45 euro , ose me 25 pikë negative. (koha.mk)