Premtimet e deritanishme të parealizuara, shpërngulja masive e qytetarëve, votuesit e papërcaktuar dhe ato që abstenojnë – do të kontribuojnë që në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 12 prillit, dalja e qytetarëve në zgjedhje të jetë shumë e ulët. Njohësit e zhvillimeve politike thonë se partitë do ta kenë të vështirë betejën e tyre për ti bindur qytetarët të dalin në zgjedhje
Destan JONUZI
Shkup, 11 nëntor – Me vet faktin se partia në pushtet – Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) tanimë ka caktuar shefin e Shtabit zgjedhor për zgjedhjet e planifikuara për 12 prill të vitit 2020, flet se ato edhe do të ndodhin në datën e caktuar, shkruan gazeta KOHA. Por, çështja është se sa këto zgjedhje do tu mundësojnë legjitimitet të mjaftueshëm deputetëve të rinj, nëse nuk arrihet mobilizimi i qytetarëve, dhe dalja të paktën të jetë 40 për qind, thonë njohësit e zhvillimeve politike duke folur për numrin e madhe të votuesve të pa përcaktuar dhe atyre që abstenojnë në zgjedhje.
“Edhe pse në zgjedhje parlamentare zakonisht regjistrohet dalje më e madhe e votuesve krahasuar me zgjedhjet presidenciale, çështja është se a do të jetë kështu në zgjedhjet e 12 prillit të vitit 2020. Elektorati është i rraskapitur nga zgjedhjet që në fund të fundit nuk sjellin ndryshime thelbësore për të mirën e tyre, të paktën përballë problemeve më të mëdha ekzistenciale në shoqëri. Që nga viti 2016, në Maqedoni asnjë vit nuk ka kaluar pa fushata dhe zgjedhje. Disa nga aktorët në skenën politike apo rolet e tyre po ndryshojnë, por pyetja e vërtetë është nëse këto ndryshime mund të sjellin vërtet jetë më të mirë për qytetarët, të cilët shumë pak u besojnë premtimeve parazgjedhore të elitave politike”, deklaroi për KOHA, Aleksandra Micoska Mitevska, gazetare.
Nga ana tjetër, njohësi i zhvillimeve politike në vend, Nijazi Muhamedi, vlerëson se votuesi shqiptar është i zhgënjyer e i dëshpëruar. “Ka disa vite që votuesi shqiptar është i zhgënjyer dhe i dëshpëruar, numri i kësaj kategorie të qytetarëve është shumicë të konsiderueshme, mbi 50 për qind. Jo vetëm votuesit që abstenojnë dhe janë të papërcaktuar, por edhe ata që kanë lëshuar vendin, për shkak se politika i ka përzënë duke i mashtruar me premtime elektorale dhe me këtë, do të ulin dukshëm daljen e qytetarëve në zgjedhjet e 12 prillit”, vlerëson Muhamedi. Njohësi i çështjeve politike, Shëtim Pollozhani konstaton se në rast se edhe më tutje partitë opozitare shqiptare vazhdojnë me politikën “ma shih fotografinë, më shih mua”, nuk do arrijnë kufirin për ta rrëzuar, siç shprehet ai, të keqën.
“Partitë politike opozitare duhet të dalin me një ofertë konkrete. Tregu politik është i uritur për një ofertë të re politike. Vetëm një ofertë e mirëfilltë dhe një projekt i ri politik do ti motivonte njerëzit të dalin në votime, të mos flasim për të pavendosurit, shpërnguljen masive dhe lodhjen e votuesve me premtime sikurse ajo popullorja: ‘shumë pupla – pak mish’, situata do të bëhet si thesi i qymyrit”, potencon Pollozhani. Ndryshe, zgjedhjet e parakohshme parlamentare pritet të mbahen më 12 prill të vitit 2020, ndërkohë që deri më tani vetëm LSDM-ja e Zoran Zaevit ka caktuar shef të Shtabit zgjedhor për këtë betejë elektorale. (koha.mk)