Pretendimet e LSDM-së për votat shqiptare në mënyrë të hapur, të VMRO në heshtje, përçarja brenda partive politike shqiptare janë disa nga arsyet që japin argumentin se vota shqiptare si asnjëherë më parë, jo vetëm që është e defokusuar, por në këto zgjedhje është edhe e rrezikuar. “Votuesi i papërcaktuar është pika e dobët e partive politike”. Sipas njohësve të zhvillimeve politike kjo kategori votuesish bënë edhe të pa priturën. Por, shprehen se ata mund të joshen vetëm me premtime argumentuese
Destan JONUZI
Shkup, 27 shkurt – Sondazhet brendapartiake të partive politike maqedonase dhe shqiptare flasin se në elektoratin shqiptar dhe atë maqedonas ende ka një numër të madh të votuesve të papërcaktuar. Sipas anketave të brendshme të partive politike, rezultat e të cilave i ka mësuar KOHA numri i votuesve të papërcaktuar arrijnë në 38 për qind nga trupi i përgjithshëm votues. Ndërkohë që po sipas të njëjtave të dhëna kësaj përqindje nuk i është shtuar edhe numri i atyre qytetarëve që janë deklaruar se nuk do të votojnë fare. Kështu që në bazë të këtyre të dhënave afër 50 për qind e qytetarëve ende kanë dilema nëse do dalin ose jo në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 12 prillit. Bazuar në këtë partitë politike një pjesë bukur të mirë të aktiviteteve të tyre duhet ta fokusojnë në joshjen e votuesve të papërcaktuar dhe atyre që kanë dilema të dalin ose jo në zgjedhje. Njohësit e zhvillimeve politike në vend thonë se partitë politike edhe shqiptare, por edhe ato maqedonase shumë pak punojnë për tërheqjen e elektoratit të papërcaktuar.
Profesori universitar, Bashkim Selmani potencon se trungu votues shqiptar si asnjëherë më parë nuk ka qenë më i rrezikuar dhe defokusuar se sa në këto zgjedhje. “Pretendimet e LSDM-së për votat shqiptare në mënyrë të hapur, të VMRO në heshtje, përçarja brenda partive politike shqiptare janë disa nga arsyet që japin argumentin se vota shqiptare si asnjëherë më parë, jo vetëm që është e defokusuar, por në këto zgjedhje është edhe e rrezikuar. Në këtë mes gjendet një numër votuesish që janë të pa përcaktuara nga njëra anë, po në këtë rast kjo kategori është përcaktuese e fitores, kush do te arrij të bind këtë kategori votuesish do të jetë edhe fituesi te tabori politik shqiptar”, deklaroi për KOHA, Selmani. Ai thotë se votuesit e papërcaktuar janë edhe vota reale, sipas tij ata votues nuk marrin parasysh interesin personal po janë kategori e interesit real shqiptar. “Është edhe pikë e dobët e partive politike që të gjejnë forma dhe metodologji për t’i bind këta votues. Prandaj kjo kategori votuesish bëjnë edhe të pa priturën. Këta mund të joshen vetëm me premtime argumentuese dhe jo me premtime që tani më qytetarët i kanë mësuar si në çdo fushatë elektorale”, nënvizon Selmani.
Në anën tjetër, Seladin Xhezairi nga TV Klan Maqedoni vlerëson se ofertat e partive politike do të jenë përcaktuese dhe vendimtare për rezultatin e zgjedhjeve të 12 prillit. “Pa mohuar se në të ashtuquajturat çështje që kanë të bëjnë kryekëput me shqiptarët ka ende boshllëqe, them që më 12 prill vendimtare për përcaktimin e votuesve kanë për të qenë ofertat, planet dhe programet që do të mëtojnë ta bëjnë këtë vend më të dinjitetshëm për të jetuar. Në kuptimin që të kemi shtet të së drejtës e jo drejtësi selektive, në sensin e vendosjes së kritereve që do të prodhojnë cilësi më të mirë të jetesës, falë zotësisë e djersës, e jo me kë je, e i kujt je. Për pasojë, kjo ka për të qenë vendimtare edhe për çështjen e votuesve të papërcaktuar. Nëse i kanë përcaktuar objektivat, atëherë partitë politike e kanë për borxh të thonë e të tregojnë se ato do të vihen në jetë nga këta e këta njerëz të cilët posedojnë këto e këto vlera. Është koha që njerëzit, pse jo edhe partitë, t’i dallojmë e veçojmë për nga puna e jo – guna”, thekson në prononcim për KOHA, Xhezairi.
Për kryetarin e Shoqatës së ish të burgosurve politik shqiptar, Shpëtim Pollozhani, edhe pse çdo gjallesë joshet, pas gjithë premtimeve të deritanishme nuk u ka ngelur më premtim partive për të josh votuesin, jo të papërcaktuar por edhe atë që ka një qëndrim politik. “Çdo gjallesë joshet me diçka. Pas të gjitha premtimeve të deritashme nuk ka ngelur më gjë për ti joshur votuesit. Derisa trajnerët janë humbësit e vjetër, është e kotë që në lojë të futen lojtarë të rinj. Tani më vlen thënia: shihma fotografinë, më shih mua. Edhe premtimet joshëse janë harxhuar, megjithëse premtime joshëse ofrojnë humbësit. Fitimtarët ofrojnë projekte me dinamikë dhe temporitëm të kufizuar në kohë dhe në hapësirë”, deklaroi për KOHA, Pollozhani.
Ndryshe, beteja politike për ti bindur votuesit e papërcaktuar në këto zgjedhje pritet të jetë edhe më e ashpër mes oponentëve politik edhe për shkak të largimit të një numri të madh të qytetarëve nga vendi për një jetë dhe mirëqenie më të mirë. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare tanimë janë shpallur edhe zyrtarisht, ndërsa partitë politike i kanë “ndezur” kandilat elektoral disa muaj para se të fillon fushata. Nga 23 marsi partitë politike fillojnë fushatën me tubime elektorale, takime të drejtpërdrejta etj., ata do të tentojnë që të fitojnë “zemrat” e votuesve duke u premtuar zgjidhje për hallet e tyre sociale, lokale, por edhe zgjidhje kombëtare për sfidat e vendit në rrugëtimin euro-atlantik. (koha.mk)