Fatos RUSHITI
Shkup, 10 nëntor – Të dielën, më 12 nëntor definitivisht do të dihet se kush do të ulët në karrigen e të parit të Komunës së Çairit, Visar Ganiu i BDI-së apo Zeqirija Ibrahimi i Lëvizjes BESA. I pari ka një përparësi prej 209 votash kundrejt të dytit, në vendvotimin nr. 2901, gjegjësisht 13.886 vota që mori Visar Ganiu në rrethin e dytë zgjedhor, ndërsa 13676 mori Zeqirija Ibrahimi, shkruan gazeta KOHA. Gjykata Administrative vendosi kohë më parë në favor të padisë së Lëvizjes BESA që të përsëritet votimi në vendvotimin nr. 2001 në Komunën e Çarit, ndërsa kishte refuzuar mbi 80 ankesa të kësaj partie vetëm për këtë komunë me objekt të njëjtë të ankimimit. Ankesat që ishin për vendvotimet në Çair, më së shumti kishin të bëjnë me numërimin e votave, ku përfaqësuesit e autorizuar të Lëvizjes BESA kanë vënë theksin tek mijëra fletëvotime të pavlefshme. Sipas asaj që thuhet në ankesës e Lëvizjes BESA, shihet qartë dëshira e shprehur e votuesve për kandidatin e tyre për kryetar të komunës. “Në vendvotimin 2901, Komuna e Çairit, gjatë mbledhjes dhe konfirmimit të votave, votat që i janë besuar Besës konsiderohen si të pavlefshme, edhe pse qartë është parë dëshira e shprehur e votuesve. As gjatë procedurës së votimit dhe as gjatë procedurës së numërimit dhe konfirmimit të rezultateve, përfaqësuesit tanë të autorizuar janë ballafaquar me presion të madh që të mos regjistrojnë vërejtjet e tyre në procesverbalin me numër 16. Gjithashtu, mbi ata është kryer presion edhe më i madh që të mos regjistrojnë vërejtje në Komisionin Komunal Zgjedhor në afat prej 5 orëve pas përfundimit të votimit, në përputhje me nenin 117, paragrafi 6 nga Kodi Zgjedhor”, qëndron në ankesën e Lëvizjes BESA, konkretisht për vendvotimin 2901, ku do të rivotohet këtë të diel. Sa i përket zhvillimeve tjera politike – qoftë punës në Parlament, konkretisht kthimin e Ligjit për gjuhën shqipe në lexim të parë, ndryshimi i Ligjit për nëpunës administrativ, propozim-ligjin për Buxhetin për vitin 2018, si dhe plotësimit të vendeve vakante në Qeveri, të gjitha këto do të fillojnë të realizohen vetëm pas ditës së hënë, pasi të përfundohet gjithçka me procesin e rivotimit në Komunën e Çairit. Të enjten pati informata jozyrtare se Ligji për gjuhën shqipe do të kthehet në diskutim për lexim të parë, por kjo nuk ndodhi ndërsa nga shërbimet e Parlamentit u tha se vetëm nga e hëna do të dihet se kur Ligji për gjuhët do të kthehet në procedurë parlamentare. Siç dihet, gjatë leximi të parë pritet të mbarojnë diskutimet e mbetura të deputetëve të VMRO-së, ndërsa më pas të kalojë në lexim të dytë gjatë të cilit VMRO ka paralajmëruar se do të dorëzojë mijëra amendamente dhe atë me fokusin që përveç gjuhës shqipe, të përfshihen edhe gjuhët e komuniteteve tjera. Ligj tjetër me rëndësi dhe që pritet të ketë kundërshtime nga VMRO është dhe propozim-ligji për ndryshimin e Ligjit për nëpunësit administrativ, përmes të cilit propozohet të hiqet testi për integritet dhe testi psikologjik dhe në disa raste – edhe testi i gjuhës angleze për ata që janë të punësuar dhe që kanë interes të avancohen në karrierë, ndërsa do të mbetet si kriter për ata që do të konkurrojnë për punë në administratën shtetërore. VMRO përmes një deklarate për media kritikoi LSDM-në, duke e akuzuar se do të fus mekanizma të lehtë më qëllim largimin e njerëzve nga puna. “Kjo nuk është reformë, por politizimi i administratës, në të cilën shumë persona të papërshtatshëm politikisht do të humbasin punët e tyre”, thonë nga VMRO në një deklaratë dërguar mediave si reagim mbi Ligjin. “Ligji ekzistues në administratën shtetërore është miratuar në përputhje të plotë me të drejtën evropiane dhe ishte më lartë i vlerësuarat nga ekspertët. Amendamentet e reja të propozuara nga Qeveria kanë për qëllim shkrirjen e standardeve ekzistuese dhe futjen e mekanizmave më të lehtë për largimin nga puna. Punonjësit do të jenë të pambrojtur, gjë që shkel të drejtat themelore të punës”, theksojnë në VMRO. Kur jemi tek zhvillimet në Qeveri, ndonëse formalisht mund të pritet deri të hënën që Qeveria të sjellë vendim për plotësimin e vendeve të vakante, por paraprakisht deri të premten do të dihet gjithçka rreth pozicionit të Aleancës për Shqiptarët në Qeveri. Me interes po pritet gjatë takimi dhe nëse Zaevi do të ulë pazarin me ASH-në, duke tentuar ti marrë Ministrinë e Shëndetësisë dhe për ta zëvendësuar më ndonjë ministri tjetër, kjo pasi nga LSDM ditë më parë deklaruan se nuk është patjetër që Shëndetësia t’i takojë vetëm ASH-së. (koha.mk)