Shkup, 4 prill – Bashkimi Demokratik për Integrim në kuadër të fushatës zgjedhore për president të shtetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, kohë më parë nisi hapjen e shtabeve në çdo komunë siç ishte rasti në Çair, Saraj, Studeniçan, Gostivar, Dollnen, Kumanovë, Kërçovë për të vazhduar në qytetin e Tetovë. Para aktivistëve, fjalë rasti patën, kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, zëvendësministri i Mbrojtjes, Bekim Maksuti si dhe deputeti Xhevat Ademi, të cilët njëzëri u shprehën se vota që do të jepet për presidentin konsensual ka rëndësi të veçantë për shkak se ngadhënjen koncepti i konsensualitetit dhe vijon ecuria e Republikës së Maqedonisë së Veriut drejt NATO dhe BE. Në mes të tjerash, folësit potencuan se BDI-ja nuk kërkon votë për vete, por për të ardhmen e shtetit dhe se 21 prilli duhet të jetë dëshmi se shqiptarët do të jenë ata që vendosin për fituesin.