Tre kandidatët që tanimë janë konfirmuar për garën e zgjedhjeve presidenciale: Blerim Reka, Stevo Pendarovski dhe Gordana Siljanovska Davkova, përveç fushatës klasike elektorale, tubimeve dhe takimeve me qytetarë, “betejën” do ta zhvillojnë edhe në rrjetet sociale
Destan JONUZI
Shkup, 22 mars – Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut do të mbahen më 21 prill. Tanimë në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) janë dorëzuar tri kandidatura. Tre kandidatët që janë në garën presidenciale nga 1 prilli deri më 19 prill do të zhvillojnë fushatën e tyre elektorale për t’i bindur qytetarët të votojnë politikat e tyre me të cilën do të ushtrojnë detyrën e “babait” të shtetit. Përveç fushatës klasike të tubimeve dhe takimeve me qytetarë, nga shtabet e kandidatëve për president thonë se fushata e tyre do të ketë fokus të madh edhe në rrjetet sociale (facebook, tuiter, yotube etj).
Nga Shtabi i kandidatit të pavarur për president, prof.Blerim Reka, i cili ka mbështetjen edhe nga partitë opozitare shqiptare – Aleanca për Shqiptarët (ASh) dhe Lëvizja BESA, thonë se do të bëjnë fushatë moderne, me një koncept ndryshe, por se prezenca në rrjetet sociale do të jetë prioritet.
“Momentalisht mjeti më i madh i marketingut për strategji bërje të komunikimit është në rrjetet sociale (Facebook, Tuiter…). Aty ka një ndarje, Facebook-un e ndjekin gjithë, por Tuiterin më pak e ndjekin shqiptarët, dhe për ne është një vend shumë i mirë të komunikojmë edhe me qytetarët tjerë. Pjesa tjetër është se do të ketë edhe tubime qendror. Do të kemi një koncept të ri të promovimit, të cilit ende nuk duam t’i japim emër. Koncepti i ri do të jetë që të shfrytëzojmë aftësinë e profesorit si intelektual dhe në këtë mënyrë të promovojmë vlerat e profesorit te komunitetet joshqiptare”, deklaroi për gazetën KOHA, Florin Hasani, kryetar i Shtabit të kandidatit për president Blerim Reka.
Nga Shtabi i profesor Rekës bëjnë të ditur se fushata do të fillojë në Shkup dhe do të mbarojë në Tetovë ose anasjelltas. Aleksandër Kiracoski, shefi i Shtabit të kandidatit për president Stevo Pendarovski, i cili mbështetet nga partitë në pushtet BDI dhe 30 parti tjera politike, i pyetur nga gazeta KOHA për fushatën e tyre në rrjetet sociale, theksoi se në fokusin e prezantimit të kandidatit të tyre janë edhe mediat sociale. “Stevo Pendarovski dhe të gjithë ne futemi në këtë garë si favorit. Unë ju sigurojë edhe si shef i shtabit zgjedhor se do të kemi fushatë pozitive dhe dinjitoze, dhe me të gjithë partitë tjera do të zhvillojmë një fushatë evropiane. Gjithçka që nënkupton një fushatë moderne, tubime të mëdha, takime me qytetarë, rrjete sociale, media të reja do të jetë pjesë e fushatës sonë të cilën tanimë e kemi hartuar”, tha Kiracoski.
Nga ana tjetër, Vllado Misajlloski anëtarë i Komitetit ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së, tha se presin që të zhvillojnë një fushatë dinjitoze ku kandidatja e tyre, Gordana Siljanovska Davkova do të arrijë fitore. “Kemi një kandidat të shkëlqyeshëm, që do të jetë i pranuar nga shumica e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë. Kemi një mundësi të shkëlqyeshme që ti thërrasim të gjithë qytetarët të na bashkohen dhe ta zhvillojmë këtë betejë për drejtësi. Presim që të kemi një fushatë të shkëlqyeshme. Presim që periudhën e ardhshme të kemi një bazë të mirë për një garë të mirë”, theksoi Misajlloski. Nga VMRO-DPMNE për gazetën KOHA thonë se fushata e kësaj parti në rrjetet sociale nuk ka munguar as në zgjedhjet parlamentare dhe se edhe në këto zgjedhje do të jenë shumë prezent për t’i njoftuar siç thonë, me “presidenten e ardhshme të Maqedonisë”.
Ndërkohë që pritet fillimi i fushatës për zgjedhjet presidenciale, sot (e premte) KSHZ do të bëjë hedhjen e shortit për renditjen e kandidatëve në listën zgjedhore. Raundi i parë i zgjedhjeve mbahet më 21 prill, ndërsa i dytë me 5 maj. (koha.mk)