Tanimë, pas kaq shumë ciklesh zgjedhore në shtet gjykoj se kemi hyrë në një fazë tjetër të garës elektorale. Kjo fazë do quhet : UNTIA PËR VOTË!
Nga Adelina MARKU
Çka është untia për votë në të vërtetë? Do kisha thënë se është faza kur politikanët do e kenë vështirë të bindin votuesin të dalë të votojë! Më saktë, do e kisha quajtur këtë fazë si krizë për votë, sado tingëllon bukur fjala: URI/ UNTI! Bukur pra edhe në toskërisht e edhe në gegnisht! E në anën tjetër faza në fjalë është në të vërtetë dëshmi (para)pjekurie që njeriut o i vjen o nuk i vjen pas humbjeve të mëdha në jetë. Hmmm, ndoshta pjekuria nuk vjen si rezultat i revoltës ashtu siç nuk vjen si rezultat i konformizmës, prandaj dhe e quaj shkallë parapjekurie e zakonisht në analiza politike nevojiten emëruar disi ngjitjet shkallëve të demokracisë. Përgjatë gjithë kësaj periudhe , ishte pikërisht fërkimi ai që zinte hapësirën e garës së vërtetë. Kur dy trupa fërkohen , ndizen! E partnerët në koalicion atë kanë bërë , janë fërkuar dhe kanë ndezur votuesin të votojë! Prandaj, sot, kur ndodhemi para zgjedhjeve presidenciale – madje edhe me një projekt kontekstual të ri në shoqëri, po konstatojmë njëzani e bashkarisht se votuesi është humbësi i madh e në vazhdimësi. Shpeshtimi i cikleve zgjedhore për hir të shpëtimit të tansisë shtetërore e jo për hir të votuesit e në emër të zhvillimit të prekshëm ekonomik, ka bërë që ne sot të kemi pandjesinë ndaj asaj që amerikanët e thonë : Vota është përgjegjesia elementare e një qytetari me ndjeshmëri për demokracinë ! Aaaa jo , jo jo në rastin tonë !
Për një shtet as dymilionësh e për një shoqëri në të cilën e dimë sa dhambë e dhamballë i ka, zhurma që po bëhet për gjetjen e kandidatit të duhur , më shumë i ngjan kakofonisë se kërkimit realist! Krijohet përshtypja në opinion se këto zgjedhje presidenciale e kandidati i vërtetë duhet matur hollë hollë. E në mendimin tim do matet edhe ca kandidati i ashtuquajtur konsensual, ose i përbashkët në parim , sepse KRIZA E VOTËS sjell dy rreziqe : ky kandidat o do digjet – sepse vota në krizë do e bëjë të vetën , ose do dalë vetmëse për t’i dëshmuar pasqyrës narcise personale e në emër të një patriotizmi të pa patkoj!
Çka do bëjë votuesi? Unë jam votuese vetë dhe kandidati im për presidencial u dogj nga kalkulimet e këtij lloji tip kakofonie. Ai ishte aty , para syve tanë …por u eliminua parapjekurisht nga një pyetje e vetme: nëse e ëma e tij ishte shqiptare?
Atëherë, pas këtij eliminimi akut, votuesit do i sugjeroja që këtyre zgjedhjeve t’i avitet me qetësinë që e sjell KRIZA në esencë e që thotë : mos i jep shumë zemër këtij procesi…sepse ai do kalkulohet , prandaj nuk do dëshmojë për integritet. Vota në krizë sjell indiferencën , e jo dëshminë për sukses e prandaj kandidati do jetë prodhim parapjekurie në demokraci dhe jo demokracinë në esencë!
Do doja që prurja e kandidatit të më dëshmojë të kundërtën ! Le shohim!
(Autorja është kolumniste e rregullt e gazetës KOHA)