Përderisa nuk është zgjidhur problemi i grumbullimit dhe trajtimit të qenve endacak në Tetovë, në anën tjetër është duke u menduar për një zgjidhje në nivel të qendrës rajonale ku gravitojnë të gjitha komunat
Urim HASIPI
Tetovë, 20 maj – Më shumë se një vit e gjysmë ka kaluar që kur ishte votuar në këshillin e Komunës së Tetovës për trajtimin qenve endacak , me çka edhe do të ndërtohej stacioni enkas për këtë qëllim. Që atëherë e këndej ende nuk është duke u rregulluar në Komunën e Tetovës një qendër e cila do të merrej 24 orë me qentë endacak në Tetovë, të cilët zakonisht janë shumë në rrugët e këtij qyteti, shkruan gazeta KOHA. Sipas informacioneve, janë duke u rregulluar shtëpizat, ku do të vendosen qentë. Nga Komuna e Tetovës thonë se kanë lidhur marrëveshje më një kompani që do të përkujdeset për qentë endacak, por kur do të fillojë në praktikë kjo, ende nuk dihet.
“Në një të ardhme të afërt pritet të bëhet gjetja e lokacionit dhe furnizimi i shtëpizave për trajtim dhe përkujdesje të kafshëve endacakë” thonë nga Komuna e Tetovës. Për këtë qëllim, nga ana e Komunës së Tetovës janë paraparë mjete në vlerë rreth 500 mijë denarë. “Financimi i Programit kryhet me mjete të parashikuara në buxhetin e Komunës së Tetovës për vitin 2018 në shumën prej 500 mijë denarëve. Çmimet për kapjen e qenve endacakë, qëndrim në stacionar dhe për trajtimin veterinar të parashikuar me këtë program, definohen nga ofertuesi më i mirë i zgjedhur me furnizim publik nga Komuna e Tetovës”, njoftuan kohë më parë nga Komuna e Tetovës.
Në ndërkohë, përderisa institucionet vazhdojnë të arsyetohen me procedura apo furnizimeve publike, rrugët e qytetit të Tetovës vazhdojnë të jenë të përfshira nga qentë endacak çdo ditë e më shumë. Në Tetovë, sipas informacioneve të repartit për sëmundje infektive, ku edhe qytetarët kërkojnë ndihmë nga kafshimi i qenve endacak, rastet e kafshimit regjistrohen çdo ditë në qytetin e Tetovës dhe rrethinë, nga qen të cilët edhe mund të jenë të infektuar me sëmundje të ndryshme. Në rast të kafshimit, mjekët rekomandojnë vizite të menjëhershme tek reparti infektiv.
“Preventiva më e mirë është eliminimi i qenve endacak, t`iu gjendet zgjidhja, kjo është preventiva. Pasi të kafshohen ata duhet të lajmërohen direk tek ne dhe ne i trajtojmë me vaksina dhe serume, por shpesh na ndodh që të mos kemi ilaçet, edhe pse në tërë Maqedoninë, të vetmit ne jemi repart që kemi vaksina kundër tërbimi”, shprehet Halil Ismaili, infektolog në repartin e sëmundjeve infektive në Tetovë. Përderisa nuk është zgjidhur problemi i grumbullimit dhe trajtimit të qenve endacakë në Tetovë, në anën tjetër është duke u menduar për një zgjidhje në nivel të qendrës rajonale ku gravitojnë të gjitha komunat.
“Krahas këtij aktiviteti, ne bëjmë edhe fizibilitetin për një lokacion të mundshëm, koston dhe atë se çfarë përfitohet nga një qendër për trajtimin e qenve endacakë. Bisedohet rreth asaj se a do të jetë kjo qendër në Gostivar apo diku tjetër. Për këtë do të vendosim të gjithë si rajon. Afati është deri në fund të vitit që të kemi komplet dokumentacionin. Ne jemi duke kërkuar variantin që me bashkëfinancim, pra që ne të kemi një dokument final për këtë problem, dhe të vazhdojmë të punojmë vitin e ardhshëm në drejtim të zgjidhjes së këtij problemi”, thonë nga Qendra për Zhvillim të Barabartë të Rajonit planor në Pollog, ku në këtë qendër gravitojnë të gjitha komunat e Pollogut, që kanë probleme me qentë endacakë. Krahas kafshimeve, po ashtu kohëve të fundit rritje shënojnë edhe sulmet nga qentë endacakë. (koha.mk)