Urim HASIPI
Tetovë, 27 shtator-Vonohen punët për ndërtimin e trotuareve në të dy anët e bulevardit “Marshall Tito”, gjegjësisht në pjesën qendrore të qytetit të Tetovës. Edhe pse ishte paralajmëruar se për një kohë të shkurtër trotuaret në të dy anët do të përfundohen megjithatë, përveç pllakave të bekatoneve nuk është punuar asgjë, shkruan gazeta KOHA. Banorët ankohen se gjysmë viti janë hapur punët dhe nuk është vazhduar asgjë më tej duke u përballur me pluhur dhe baltë. Vetëm një pjesë e fazave të punës është punuar, por pjesa më e madhe e trotuareve, sidomos afër qendrës për kulturë dhe në pjesën tek tregu i gjelbër është larguar asfalti dhe është lënë me rërë, pa u vendosur pllaka bekatoni. Në këtë periudhë, kur ka reshje të shiut, qytetarët që lëvizin në atë pjesë përballen me baltën dhe duhet të shmangin trotuaret.
“Është premtuar se do të ndërtojnë tërësisht, por tash e gjashtë muaj nuk përfundohen dhe ne duhet të mos ecim përgjatë trotuareve, por duhet të dalin në rrugë, sepse ose ka pluhur, ose ka baltë. Nëse nuk vendosin pllaka, atëherë pse i filluan punët dhe ne duhet të kalojmë nëpër këtë trotuar përplot me rërë”, thotë Gazmendi, një qytetarë i Tetovës.Më keq është për banorët që jetojnë përballë tregut të gjelbër, të cilët jetojnë në atë pjesë dhe gjithnjë ose ka pluhur nga rëra, ose ka baltë nga shiu. Nga komuna nuk kanë dalë me qëndrim të prerë për përfundimin e punëve, por kanë nënvizuar se punohet në përfundimin e të njëjtave. Para një kohe nga komuna kanë thënë se punët janë vonuar për shkak se kryerësi i punëve nuk mund të sigurojë pllaka të bekatonëve, ashtu siç kanë qenë të parapara në projekt. Ata kanë premtuar sërish se së shpejti do të përfundojnë punët.
Në muajin shkurt të këtij viti, nga Komuna e Tetovës, theksuan se ndërtimi i trotuareve do të jetë modern.“Ky projekt do të ofrojë një pamje të re estetike dhe funksionale të hapësirave për qarkullim të këmbësorëve, përgjatë bulevardit “Iliria” dhe pjesës së bulevardit të Ilindenit në pjesën e Postës në Tetovë. Gjithsej do bëhet fjalë për rregullim të hapësirës publike në sipërfaqe prej 15. 000m2, ku përveç shtigjeve dhe zhardinjerëve të ngritura për gjelbërim, do të bëhet edhe vendosja e gjithsej 73 shtyllave për ndriçim publik, 12 fontanave me ujë për pije, 75 mbrojtës metalik për trungjet e druve, 22 shporta për mbeturina, 32 konstruksione për parkim të biçikletave si dhe 233 ulëse të drurit për qytetarët”, njoftuan nga Komuna e Tetovës.
Para gjashtë muajve u premtua kjo, por deri më tash ende nuk është përfunduar, ndonëse më vështirë do të jetë gjatë këtyre muajve kur ka të reshura të shiut dhe këto pjesë do të jenë të pakalueshme. Në atë kohë ishte premtuar se kjo pjesë do të ketë krejt pamje tjetër dhe do të jetë në shërbim të qytetarëve të Tetovës, për të lëvizur më lirshëm, ndërsa nga ana tjetër, edhe pronarët e lokaleve dhe biznese në atë pjesë janë ankuar se dukshëm është zvogëluar qarkullimi i qytetarëve për shkak të mos rregullimit të tyre. Ata sqarojnë se brenda gjashtë muajve nuk është bërë aq sa duhet që këto punë të përfundojnë në kohë. (koha.mk)