Fisnik PASHOLLI
Shkup, 7 janar – Ndërtimi i autostradave të reja po zhvillohet me tempo të ngadalshme, pasi ekziston vonesë e punëve ndërtimore si dhe realizimit financiar të punëve të planifikuara dhe të kontraktuara, shkruan gazeta KOHA. Këto ndër të tjerash janë edhe vërejtjet kryesore për ndërtimin e akseve rrugore Kërçovë-Ohër dhe Miladinovci-Shtip, të bëra nga Entit shtetëror për revizion pas realizimit të revizionit të raporteve financiare të Ndërmarrjes Shtetërore për Ndërtimin e Rrugëve për vitin 2015. “Për autostradën Kërçovë -Ohër, konform dinamikës së tanishme të ndërtimit dhe realizimit real financiar prej afër 19.16 për qind të vlerës së përgjithshme të kontratës, ekziston mundësia që realizuesi të mos e respektojë afatin përfundimtar të përfundimit të projektit, deri më 29 janar të vitit 2019. Për autostradën Milladinovci-Shtip, në bazë të dinamikës së tanishme të ndërtimit dhe realizimit financiar prej 26 për qind ekziston gjithashtu rreziku që të mos respektohet afati i përfundimit i parashikuar për një maj të vitit 2017”, theksohet në raportin e Revizionit. Krahas vonesa në ndërtim, revizorët kanë vërejtje edhe për dallimet në kursin devizor që kanë shtrenjtuar ndërtimin e rrugëve. Qarkullimi i tërësishëm pagesor i ndërtimit që realizohet në Maqedoni me vetëm 10 për qind realizohet në denarë, ndërsa shuma tjetër e mbetur paguhet në dollarë amerikanë. Nga ana tjetër, vlera e kontratës evidentohet në euro, ndërsa përllogaritja e obligimeve nga euro në dollarë amerikan është e lidhur me kursin devizor të një shkurtit të viti 2013. Gjithashtu, pagesa e detyrimeve ndaj palës kineze realizohet me dollarë, sipas kursit shitës në ditën e pagesës. “Në vitin 2015 shuma e përgjithshme e të ashtuquajturave dallime negative të kursit janë të evdidentuara si harxhime dhe të njejtat për të dyja projektet janë 840.963 mijë denarë”, theksohet në raportin e revizorëve. Nga Enti shtetëror i revizionit kërkojnë që të kryhet korrigjimi i vlerës së dy investimeve, ndërsa harmonizimi i ndërsjellë midis kërkesave dhe obligimeve të ndërmarrjes shtetërore dhe kompanisë kineze “Sinohidro” të kryhet së paku një herë në vit. Në rezymenë e raportit të tërësishëm theksohet se vetë revizioni nuk mund të japë mendim për realitetin dhe objektivitetin e raporteve financiare për vitin 2015. Ndryshe, autostradat Kërçovë-Ohër, e gjatë 57 kilometra dhe me kosto prej 374 milionë euro dhe Milladinovci-Shtip me vlerë 206 milionë euro dhe e gjatë 47 kilometra, filluan të ndërtohen në vitin 2014. Autostrada nga Kërçova për në Ohër dhe Strugë do të jetë sipas standardeve moderne, me gjerësi prej 23 metrash, nga dy korsi në secilin drejtim dhe hapësirë për t’u ndalur makinat. Do të ketë 19 mbikalime dhe nënkalime, 22 ura si dhe një tunel prej rreth dy kilometrash. Autostrada do të shkurtojë rrugën e tregtarëve dhe turistëve nga Maqedonia për në Shqipëri. Autostrada tjetër prej Shkupit deri në Shtip do të ketë një rëndësi të madhe për zhvillimin ekonomik të Maqedonisë lindore.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.