Fondi i Sigurimit Shëndetësor të Maqedonisë (FSSHM), sipas nënave lehonë, nuk ka kryer ende pagesën e muajit prill për pushimin e lehonisë. Në rrjetet sociale qarkullojnë letra publike drejtuar ministrit të Shëndetësisë, Venko Filipçe, i cili njoftohet se pagesat për muajin prill ende nuk u janë lëshuar nënave lehona. Ndërkohë ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, në një prononcim për media ka thënë se pagesat e lehonisë janë duke u proceduar
Zenel MIFTARI
Shkup, 21 maj – Kriza shëndetësore e virusit korona tani më është e qartë se ka shkaktuar një situatë të rënd ekonomike, për shkak të izolimit, mbylljes së shumë bizneseve dhe lirimit nga puna e një numrit të madh të punëtorëve. Në situatën e re të krijuar, sipas kryefamiljarëve, shpenzimet janë dyfishuar për shkak nevojës për të siguruar më shumë ushqim si dhe rritja e çmimeve në disa produkte elementare. Situata është rënduar edhe më shumë në ato familje, ku njëri nga familjarët ka humbur edhe punën.
Në këtë situatë të krijuar, Fondi i Sigurimit Shëndetësor të Maqedonisë (FSSHM), sipas nënave lehonë, nuk ka kryer ende pagesën e muajit prill për pushimin e lehonisë. Në rrjete sociale i është shkruar një letër publike ministrit të Shëndetësisë, Venko Filipçe, nga Simona Sekuloska, nënë e tre fëmijëve, e cila është momentalisht në pushim të lehonisë. Ajo ka shkruar se pagesat e lehonisë për muajin prill ende nuk u është lëshuar nënave nga Fondi për Sigurim Shëndetësor. Sipas saj, është edhe një numër i madh i nënave që as për muajin mars nuk kanë marr pagesën e lehonisë. “Për shumicën, ky është burimi i vetëm i të ardhurave, pasi që burri ka humbur punën,si pasoj e situatës së krijuar në luftën kundër virusit korona. Por pa marr parasysh, situatën e krijuar, ajo pagë na takon ligjërisht dhe duhet të na jepet në kohë”, ka shkruar ajo. Duke shtuar që shteti po funksionon me dy standarde, nuk mundet pensionistëve t’u jepet para kohe pensioni shtetëror ndërkaq nënave pas dy tre muajve”, ka përfunduar ajo. Ndërkohë ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, në një prononcim për media ka thënë se pagesat e lehonisë janë duke u proceduar e sipër.
Në anën tjetër, Shoqata e nënave lehonë kërkon nga Qeveria, që të zgjasë pushimin e lehonisë deri në shtator për nënat e fëmijëve deri në 12 muaj dhe e drejta e shfrytëzimit të pushimit vjetor për vitin 2019 dhe 2020 në përputhje me ligjin. “Duke pasur parasysh faktin se nuk ka regjistrime të reja për fëmijët në kopshte për fëmijë dhe ende qëndrojnë të mbyllura, fëmijët tanë do të mbeten pa kujdes. Paralajmërimet ishin që kopshtet e fëmijëve, do të hapen në qershor por virusi ende është i pranishëm dhe sipas parashikimeve hapja e çerdheve nuk do të ndodhë. Për këtë arsyeje ne kërkojmë nga Qeveria që zgjasë pushimi i nënave lehonë deri në shtator”, thuhet në kërkesën e shoqatës së nënave lehonë.
Sipas tyre, gjatë pushimit të lehonisë, shtatzënësisë patologjike ose sëmundjes, apo edhe të situatave të paparashikueshme, ata shpesh nuk ishin në gjendje të përdorin pjesën tjetër të pushimit vjetor. Nenin 141, paragrafi katër, i Kodit të Punës, i cili i referohet përdorimit të pushimit vjetor thotë: “Pushimi vjetor që nuk është përdorur në vitin kalendarik aktual për shkak të mungesës, sëmundjes ose dëmtimit, pushimit të lehonisë, leje ose pushim për përkujdesje dhe kujdestarinë e një fëmije, punëmarrësi ka të drejtë të përdorë atë deri më 30 qershor të vitit të ardhshëm kalendarik”, shkruan nën nenin 141. Në kërkesën e nënave lehonë thuhet se punëdhënësit po keqinterpretojnë dekretin në fuqi. Ata thonë se disa nga punëdhënësit tanë besojnë se ditët e pushimeve të vjetra nga viti 2019 nuk na takojnë, domethënë i konsiderojnë ato ditë të përdorura. (koha.mk)