Skiatorja amerikane Lindsey Vonn, 34 vjeçe, ikona e garave me ski, do të zbresë në pistë për të fundit herë këtë sezon (2018-2019), që nis në fund të tetorit. Deri më tani, në karrierën e saj ka fituar 82 gara, si asnjë femër tjetër, ndërkohë që para saj, me 86 fitore, është vetëm suedezi Ingemar Stenmark, kampioni absolut i garave të Kupës së Botës në ski.
Vonn i ka vënë si objektiv vetes këtë sezon që të arrijë të paktën 5 fitore dhe të thyejë këtë rekord, por ky është vetëm një dëshirë dhe jo një makth. Edhe në rast se nuk arrin ta realizojë këtë objektiv, për skiatoren bukuroshe amerikane nuk ka kthim mbrapa, ajo do ta mbyllë karrierën e saj në fund të këtij sezoni.
“Fizikisht, kam arritur në një pikë ku nuk ka më asnjë kuptim që të vazhdoj të garoj. Natyrisht që dua të jem aktive, çka do të thotë që do të vazhdoj të merrem me spot edhe në të ardhmen, duke menduar për atë që do të vijë”, thotë Vonn, që do të debutojë në pistë këtë sezon në dhjetor, në garat e shtëpisë në pistën e Lake Louis.
Për sa i përket rekordit të 86 fitoreve, ajo shton: “Nëse do të arrija ta thyeja, do të ishte një mrekulli, një ëndërr që bëhet realitet. Nëse jo, nuk ka problem, imazhi i karrierës time nuk do të prishet nga kjo gjë. Unë jam ende skiatorja femër më e suksesshme në histori”, tha Vonn, që këtë sezon do të marrë pjesë vetëm në disiplinat e supergjigantit dhe zbritjes së lirë.