Sipas të dhënave të Administratës për Siguri në trafik në SHBA, vetëm në këtë vend 30 persona vdesin çdo ditë për shkak të aksidenteve si pasojë e dehjes së shoferëve. Vetëm në vitin 2017, në SHBA vdiqën 10.874 njerëz si pasojë e aksidenteve për shkak të dehjes
Gjiganti suedez, “Volvo”, shpreson ta rikthejë reputacionin e vet për sigurinë përmes një strategjie teknologjike. Me teknologjinë më të re kompania po planifikon të parandalojë aksidentet nëpër rrugë. Kompania ka njoftuar në fund të muajit mars se do të instalojë kamera dhe senzorë brenda automobilave të vet në fillim të 2020-s, që do të funksionojnë sikur pajisje monitoruese për nivelin e dehjes apo shpërqendrimit të shoferit, por edhe për të intervenuar në parandalimin e aksidenteve.
Masat e sigurisë, të prezantuara në një konferencë nga “Volvo”, kanë nxjerrë në pah planet e publikuara kohë më parë me synim të eliminimit të aksidenteve fatale nëpër rrugë. Zhvillimi i teknologjisë që mund të përkrahë manovra të tilla është përshpejtuar në vitin e fundit, sidomos me rritjen e fokusit kah automobilat autonomë në industri. Kompania ka thënë se sistemi funksionon në atë mënyrë që vazhdimisht monitoron shoferin dhe kur të ketë nevojë do të hyjë në funksion edhe pjesa e intervenimit. Sistemi i intervenimit do të hyjë në funksion nëse shihet qartë përmes kamerave dhe senzorëve se shoferi është i dehur apo është i shpërqendruar, dhe nuk po u përgjigjet sinjaleve paralajmëruese si dhe po rrezikon të shkaktojë aksident me përmasa që mund të jenë fatale.
“Volvo” lidhur me këtë është duke krijuar një autopilot për vozitje pa shofer nëpër autostrada me kompaninë prodhuese të pjesëve të automobilave, “Veoneer”, po ashtu nga Suedia. Kjo po bëhet me synimin që të përmbushet caku i caktuar më herët e që automobilat autonomë të zënë një të tretën e shitjeve të të gjithë automobilave të kompanisë deri më 2025. Por drejtori gjeneral i kompanisë, Hakan Samuelsson, ka thënë për “Reuters” se duhen pesë deri në dhjetë vjet para se automobilat e tillë të përhapen në masë. Sipas tij, duhet krijuar një treg të qëndrueshëm për të shitur automobila me veçori shtesë për sigurinë, siç janë monitorimi përmes kamerave përgjatë vozitjes. “Këto teknologji aktive të sigurisë do të vijnë nga viti 2021… senzorë të mençur, kufizues të mençur të shpejtësisë, senzorë të mençur të monitorimit të humbjes së koncentrimit, senzorë të mençur për dehje. Këto do të vijnë”, ka thënë ai.
Shefi i departamentit për hulumtime dhe zhvillime në këtë kompani, Henrik Green, ka thënë se kamerat do të instalohen në të gjitha modelet e “Volvos” që do të krijohen në platformën “SPA2” për automobila më të mëdhenj, duke nisur nga modeli “XC90 SUV”, në fillim të dekadës së ardhshme, para se t’u shtohet edhe automobilave të vegjël të krijuar në platformën “CMA”. “Volvo” ka thënë se intervenimi për të parë nëse shoferi i automobilit është i dehur, i lodhur apo i shpërqendruar duke shikuar në telefon mobil – një nga faktorët më të mëdhenj të aksidenteve – mund të përfshijë kufizimin e shpejtësisë së automobilit, të alarmojë shërbimin asistues të “Volvos”, ose të ngadalësojë dhe të parkojë automobilin. “Kur bëhet fjalë për sigurinë, qëllimi ynë është të shmangim aksidentet në vend që të kufizojmë ndikimin nëse një aksident është i pashmangshëm”, ka deklaruar Green, që është edhe zëvendëspresident i kompanisë. “Në këtë rast, kamerat do të monitorojnë për sjelljet që mund të çojnë në lëndime serioze apo edhe vdekje”.
Sistemi, sipas “Volvos”, do të jetë në gjendje të dallojë shumë sjellje potencialisht të rrezikshme. Këtu përfshihet edhe rasti kur shoferi “shfaq mungesë përqendrimi për mbajtje të timonit për një periudhë të gjatë”, apo kur sytë e tij mbyllen për periudha të konsiderueshme gjatë vozitjes. Teknologjia do të monitorojë po ashtu edhe “kohën e ngadalshme të reagimit” dhe “lëvizjet ekstreme nëpër shiritat rrugorë”. Sipas të dhënave të Administratës për Siguri në trafik në SHBA, vetëm në këtë vend 30 persona vdesin çdo ditë për shkak të aksidenteve si pasojë e dehjes së shoferëve. Vetëm në vitin 2017, në SHBA vdiqën 10.874 njerëz si pasojë e aksidenteve për shkak të dehjes.