Pragë, 8 prill – Përhapja e epidemisë në Çeki është ngadalësuar për shkak të së cilës ministri i Shëndetësisë Adam Vojteh deklaroi se është i sigurt që vendi ka parandaluar rritje të pakontrolluar të numrit të të sëmurëve dhe paralajmëroi zvogëlim të masave të karantinës.
Në Çeki janë regjistruar më shumë se 5.000 raste të të infektuarve me koronavirus.
Ministria çeke e Shëndetësisë kumtoi se në 24 orët e fundit në këtë vend janë paraqitur 195 raste të reja dhe se numri i tërësishëm për momentin është 5.017. Ditën paraprake, numri i rasteve të reja në Çeki ishte 235.
Ministri Vojteh tha se të dhënat tregojnë se Çekia e parandaloi përhapjen e pakontrolluar të koronavirusit dhe se skenari më i keq kaloi.
Republika e Çekisë ishte një nga vendet e para evropiane që vendosi masa për luftë kundër Kovid-19 kur virusi filloi të përhapet në mbarë kontinentin. Ajo ishte mes vendeve të para në Evropë që shpalli gjendje të jashtëzakonshme, i mbylli kufijtë, shkollat, një numër të madh të fabrikave, shumicën e dyqaneve dhe restoraneve dhe e kufizoi lëvizjen e njerëzve.
Parlamenti i Çekisë dje miratoi vendim për vazhdim të gjendjes së jashtëzakonshme deri më 30 prill.(koha.mk)