Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka pritur sot në selinë e Presidencës së Turqisë vajzën 7-vjeçare Bana dhe familjen e saj, e cila përmes rrjeteve sociale i tregoi gjithë botës masakrën ndaj Halepit, raporton Anadolu Agency (AA). Në këtë pritje e pranishme ishte edhe bashkëshortja e Presidentit, Emine Erdogan, ndërsa Bana ishte bashkë me familjen e saj. Vajza e vogël Bana bashkë me mamanë e saj Fatma-n e cila është mësuese e gjuhës angleze, jetonin në lagjen Katixhi në lindje të Halepit. Përmes një llogarie në Twitter të hapur 3 muaj më parë, ata i bënin thirrje botës të vihen në lëvizje për të ndaluar masakrat në Halep. Fatma dërgoi një mesazh ministrit të Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavushoglu duke i kërkuar atij ndihmë, ndërkohë shefi i diplomacisë turke i kishte dhënë fjalën se do të dërgojë familjen e saj në një vend të sigurt. Vajza dhe e ëma e saj kanë rreth 320 mijë ndjekës në Twitter.