VMRO-DPMNE përmes një komunikate ka drejtuar akuza drejt prokurores Vilma Ruskoska, duke pohuar se kjo e fundit është vënë në mbrojtje të ish kryeministrit, Zoran Zaev.
“Puna për Zoran Zaevin dhe mbulimi i krimeve të tij nuk janë obligime të reja në agjendën e Vilma Ruskovskës.
Para se ta mbrojë në rastin “Reket”, Ruskovska e kishte mbrojtur edhe për krim të dukshëm zgjedhor, i dokumentuar me masa të veçanta hetuese.
Villma Ruskovska edhe më tutje e mbron Zoran Zaevin me çdo kusht. Media italiane La Verita mbrëmë publikoi dëshmi të reja për krimet e Zoran Zaevit, dëshmi të cilat i ka prokuroria, por lënda për Zaevin edhe më tutje ruhet në sirtarë. Në atë sirtar ka dëshmi për ryshfet në zgjedhje, kërcënime, shantazhe, presione të cilat e pamundësojnë me Kushtetutë të drejtën e garantuar të qytetarëve që lirshëm ta shprehin vullnetin e tyre në zgjedhje.
Në Prokurorinë e Krimit të Organizuar ka dëshmi, masa të veçanta në të cilat dëgjohet zëri i Zaevit dhe vëllait të tij Vice Zaev se si haptas flasin në telefon për shoqërimin kriminal të cilin e kanë formuar, gjegjësisht rrjetin e zhvilluar lartë për blerjen e votave përmes kërcënimeve dhe ryshfetit të votuesve”, thonë nga VMRO-ja opozitare.
“Pas incizimit të famshëm në të cilin Zoran Zaevi kërkon një euro për vëllain e tij, tani e shohim se si ai ofron nga 10 deri në 25 euro për një votë.
Prokuroria duhet të çlirohet nga kufizimet e Zoran Zaevit. Lënda duhet të përpunohet, sepse e ardhmja e shtetit varet nga zgjidhja e këtyre lëndëve të korrupsionit të lartë. Vargu i aferave korruptuese në të cilat janë përfshirë funksionarë të lartë shtetërorë dhe partiakë të LSDM-së, ndërsa të cilat nuk kanë zgjidhje juridike janë argument më shumë për kundërshtarët e zgjerimit të Unionit.
Drejtësi duhet të ketë! Pas 12 prillit vjen rilindja e Maqedonisë, rilindja e sistemit të drejtësisë dhe kthimi i drejtësisë në Republikën e Maqedonisë, ndërsa atëherë do të përgjigjen të gjithë ata që kishin gabuar para ligjit si dhe ata të cilët mbrojtën krimin dhe korrupsionin në vend se t’i ndjekin kryesit’, përfundon komunikata e VMRO-së.