Shkup, 4 dhjetor – VMRO-DPMNE sot pasdite përsëri përmes protestave e shprehu pakënaqësinë nga politikat e qeverisë, nga ajo se si zhvillohen bisedimet me Bullgarinë, ndërsa partia opozitare e përsëriti edhe kërkesën për dorëheqjen e Kryeministrit, Zoran Zaev. Si pjesë e protestës së mbajtur nën moton “Dorëheqje e Zaevit, liri popullit!”, anëtarët dhe mbështetësit e VMRO-DPMNE-së një orë i bllokuan qasjet ndaj objektit të Qeverisë, MPJ-së dhe Ministrisë së Drejtësisë, ndërsa sonte ka protesta edhe në 20 qytete të tjera.
Para ndërtesës së Qeverisë foli edhe deputeti, Igor Janushev, i cili akuzoi se Kryeministri Zaev, siç tha “e shet Maqedoninë me të madhe dhe simbolet kombëtare maqedonase, për gjithçka që është maqedonase”.
“Ne, duhet të kemi turp vetëm nga ata, nga Zaevi, nga Buçkovski dhe nga ata përreth tij. Ne kemi dy kriminelë të dëshmuar, dy kriminelë të dënuar që negociojnë për gjithçka që është maqedonase, të cilët nuk kanë vend këtu”, tha Janushev.
Duam në Evropë, duam në BE, por vlerat evropiane, shtoi Janushev, janë demokracia, sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, ndërsa për të gjitha këto gjëra këto në Qeveri paraqesin antipod i atyre vlerave.
Para Ministrisë së Punëve të Jashtme, foli zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Dimçe Arsovski, sipas të cilit, duhet ta ruajmë identitetin tonë sepse qeveria nuk kujdeset për të. Emërimi i Vllado Buçkovskit si përfaqësues special për Bullgarinë, shtoi ai, nuk do të zgjidhë asgjë dhe një person i tillë nuk mund të jetë përfaqësues special i Maqedonisë.
Para MPJ-së, foli edhe Jelena Zhugiç, e cila theksoi se për historinë, kulturën dhe trashëgiminë kulturore nuk ka kompromis dhe se ato kanë një traditë shekullore.
Para Ministrisë së Drejtësisë, foli Toni Menkinoski i cili potencoi se Zaev nuk ka të drejtë të negociojë për të drejtat e maqedonasve në fqinjësi dhe se, siç tha ai, opozita nuk do të lejojë që forcat antievropiane të na fshijnë. Sipas tij, Zaev nuk duhet të lejohet të tregtojë me interesat kombëtare dhe të drejtat e pakicave maqedonase në vendet e tjera.
Sipas paralajmërimeve nga partia e opozitës, protestat e tyre do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. Ata u bëjnë thirrje qytetarëve që të “zgjohen” dhe t’u bashkohen protestave antiqeveritare.