Zejnulla VESELI
Shkup, 13 mars – Sa më shpejtë të votohet Ligji për përkrahje financiare të investimeve, i cili tani më është në procedurë parlamentare, aq më shpejtë do të mundet që sektori i biznesit privat të tërheqë vlerën prej 50 milionë eurove që parashihen me këtë ligj, shkruan gazeta KOHA. Kjo është kërkesa e Odave Ekonomike në Maqedoni deri te deputetët e shumicës parlamentare dhe opozitës, sepse siç thonë odat ekonomike, tërheqja e shpejtë e subvencioneve do të ndikojë dukshëm në lëvizjen e ekonomisë vendore dhe do të kontribuojë në mënyrë direkte në rritjen industriale.
Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë (OEM), Branko Azeski, thotë se kompanitë nga sektori privat në Maqedoni janë të kënaqura me masat që parashihen në planin e Qeverisë për rritje ekonomike dhe mu për këtë – sektori i biznesit privat kërkon nga deputetët e shumicës parlamentare e në veçanti nga deputetët e partive opozitare të mos e pengojnë në asnjë mënyrë miratimin e Ligjit për përkrahje financiare të investimeve, i cili deri në fund të kësaj jave, duhet të jetë në rend dite në seancë plenare në Parlamentin e Maqedonisë.
“Presim që me procedurë të përshpejtuar Parlamenti ta miratojë Ligjin për përkrahje financiare të investimeve, si dhe rritjen e punësimeve të reja. Apelojë deri te deputetet e shumicës parlamentare e sidomos deri të deputetët e VMRO-DPMNE-së të ndërpresin me bllokadën e punës Parlamentin dhe të marrin pjesë në seancën kur do të debatohet Ligji për përkrahje financiare të investime dhe të votojnë pro këtij Ligji, sepse miratimi i këtij Ligji është treni i fundit për afaristët privat që do t’i çojë drejtë rrugës së vërtetë”, tha Azeski.
Njëherësh, edhe kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore (OEMPV), Nebi Hoxha, Ligjin për përkrahje financiare të investime e vlerëson si shumë pozitiv, por se pas miratimit Ligjit, të cilin duhet shumë shpejtë ta miratojë Parlamenti, Hoxha kërkon të kihet kujdes se cilat firma duhet të subvencionohen. Ligji për përkrahje financiare të investimeve parasheh ndarjen e subvencioneve në vlerë prej 50 milionë euro në bazë të tre shtyllave – subvencione në pjesën e konkurrencës për të gjitha subjektet afariste që kanë rritur konkurrencën e tyre që të mund afaristët më lehtë të dalin në tregjet e treta.
Përkrahje financiare do të jepen edhe atyre kompanive që do të krijojnë vende të reja pune dhe se rroga mujore që do të japin subjektet afariste të jetë për 50 për qind nga lartësia e rrogës minimale. Gjithashtu, Ligji për përkrahje financiare të investimeve parasheh dhe ndarjen e granteve për të gjitha të rinjtë deri më 29 vjet që dëshirojnë të hapin biznese familjare dhe atë 5000 euro për person apo plus edhe 5000 euro tjera nëse fituesi i grantit punëson edhe një person tjetër. (koha.mk)