Shkup, 13 janar – VMRO-DPMNE-ja dhe koalicioni “Për Maqedoni më të mirë” sot përsëriti dhe, siç thuhet në kumtesë, konfirmon se nuk pajtohet, nuk do të negociojë dhe nuk do të lejojë ndryshim të Kushtetutës me qëllim të dygjuhësisë në tërë territorin dhe vazhdim të mandatit të Prokurorisë speciale publike (PSP). “Lidhur me kumtesën e partisë, BDI, koalicioni multietnik ‘Për Maqedoni më të mirë’, i përbërë nga 25 parti dhe i udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja përsërit dhe konfirmon se nuk pajtohet, nuk do të negociojë dhe nuk do të lejojë ndryshim të Kushtetutës me qëllim të dygjuhësisë në tërë territorin dhe vazhdimin e mandatit të PSP-së. Shkaqet deri tani janë elaboruar më shumë herë në opinion, ndërsa bazohen në angazhimin e shtetit unitar, mbrojtjen e Rendit kushtetues, angazhimet tona politike të parashtruara në periudhën parazgjedhore, Marrëveshjen e Ohrit, si dhe në marrëveshjen e qershorit-korrikut 2015, të cilat ky koalicion në mënyrë konsekuente e ka respektuar siç është arritur marrëveshje dhe nënshkruar, dhe nuk ka për qëllim ta ndryshojë. Pavarësisht nga epilogu rreth përbërjes së Qeverisë në periudhën e ardhshme, pavarësisht nëse do të formohet Qeveria e re dhe kush do ta formojë, çka do që të ndodh, VMRO-DPMNE dhe koalicioni ‘Për Maqedoni më të mirë’ nuk do të negociojë, as nuk do të lejojë ndryshim të rendit kushtetues me qëllim që dygjuhësisë në tërë territorin dhe vazhdimin e mandatit të PSP-së”, thuhet në kumtesë. VMRO-DPMNE thekson se “PSP nuk ka kurrfarë lidhje me drejtësinë, ai është instrument politik në duart e një qendre të fuqisë dhe instrumentet e tyre vendore për shantazh të çdo politikani, i cili do të luftojë për interesat nacionale të popullit të Maqedonisë dhe interesave shtetërore të Maqedonisë, dhe qytetarëve të saj”. Sipas partisë, “PSP është buton i cili do të shtypet çdoherë kur kushdo do të guxojë të mos luajë ashtu siç dikush nga jashtë i sugjeron dhe dikton dhe është vegël me të cilin degradohet dhe mohohet sovraniteti dhe pavarësia e shtetit të Maqedonisë”. “PSP nuk është e pavarur dhe e paanshme dhe nuk ka kurrfarë lidhje as me të drejtën as me drejtësinë. PSP është instrument për vazhdimin e krizës dhe mbajtjes së Maqedonisë peng, dhe për këtë arsye ne asnjëherë nuk do të pajtohemi që Maqedonia të vazhdojë të mbahet peng dhe të ekzistojë instrument për disiplinim të secilit që do të luftojë për mbrojtje të interesave nacionale dhe shtetërore. Moslejimi për vazhdim të mandatit të PSP-së nuk është frikë, por trimëri dhe inat”, thuhet në kumtesën e VMRO-DPMNE-së.