VMRO-së “pika që s’i bie”, se LSDM-ja “paguan faturën”!

-Ndoshta s’ka qenë përherë intenca, por rastësia dhe vizioni politik ka bërë që LSDM-ja të ketë hedhur ndonjë gur më tepër në themelet e Maqedonisë, me vendimet e guximshme që kanë shkuar shpesh në dëm të vetin, ndryshe nga VMRO-ja, e cila fjalët e mëdha nuk kishte guximin t’i shndërrojë në vendime me interes shtetëror

 Nga Daut DAUTI

Është interesante ndarja e roleve në skenën politike të Maqedonisë. Që nga fillimi i pluralizmit VMRO-ja u shfaq si “nacionaliste”, “radikale”, “destruktive”, ”e rrugës”…, ndërkaq në anën tjetër, LSDM-ja “e matur”, “parti qytetare”, “shtetndërtuese”… As është bota bardh e zi, e as jeta politike te ne ka qenë gjithnjë e shpjegueshme përmes këtyre klisheve, por, dorën në zemër, disa gjëra janë zhvilluar, rastësisht ose jo, pikërisht sipas kësaj klisheje. Kështu, ka rezultuar që “radikalizmi” ose “nacionalizmi” në përpjekjet për t’u treguar mbrojtëse e maqedonizmës, që në këtë rast nënkupton edhe interesat shtetërore, VMRO-në e kanë margjinalizuar nga vendimet e mëdha! Sepse, ajo si duket gjithë strategjinë e ka ndërtuar në fjalët, kurse punët e mëdha, i kanë mbetur barrë LSDM-së.  Vetëm në vitin 1991 VMRO-DPMNE-ja u rreshtua drejtë, kur insistonte për referendum për t’u ndarë nga RSFJ-ja. LSDM-ja(më saktë, LKM-PTD e sapo transformuar për kushtet e pluralizmit), në atë kohë, ende kalkulonte ose përcillte me kujdes se nga po fryn era, ndoshta edhe nga frika, sepse APJ-në e kishte ende brenda territorit të saj.

Advertisements

Kalimthi, do të përkujtoj edhe qëndrimin e këtyre dy partive për politikat vendimtare të brendshme, edhe ato të afirmimit ndërkombëtar. Në planin e brendshëm, një rol “të barabartë” kanë të dy partitë në hartimin e kushtetutës. Pasi më parë ishte krijuar një atmosferë e mos lëshimit pe ndaj kërkesave të shqiptarëve, edhe LSDM-ja e ndoqi të njëjtën rrugë, dhe i ndajnë “meritat” për kushtetutën si gjenerator i krizës, siç e ka quajtur Arbër Xhaferi. Zaten, qëndrimet rigide bënë një kushtetutë ku shqiptarët nuk e arritën as statusin që kishin pasë më herët.

Pastaj, në çastet vendimtare, LSDM-së do t’i jepet misioni historik për të marrë vendime historike. Jo rastësisht kryeministri e më vonë edhe shefi i shtetit, Branko Cërvenkovski, i kishte dhënë partisë së tij epitetin “shtet-ndërtuese”.  Kjo, në njërën anë ishte arritje rëndësishëm për historinë, por që në anën tjetër, kishte kosto të lartë për partinë. I ra hise qeverisë së LSDM-së të lidhë me Greqinë Marrëveshjen e Përkohshme, për të hyrë në OKB. VMRO-ja ishte kundër, kurse LSDM-ja në lajthitje, duke thënë se çështja e emrit do të zgjidhej për dy – tri muaj, që u bënë pastaj dy dekada e gjysmë,gjersa një kryeministër i LSDM-së nuk mori guximin për ta ndërruar emrin. Në këtë temë, VMRO-ja jo vetëm që nuk kishte guxuar të ndërmarrë një hap të tillë, por edhe më keq, me veprime konkrete, me antikuzimin e historisë dhe kulturës(Shkupi 2014), vetëm e kishte komplikuar procesin, ndërkohë që kishte humbur edhe përkrahjen ndërkombëtare që deri atëherë ishte në anën e Maqedonisë. Gruevski nuk pati guxim,ose nuk deshi të pranojë madje një emër edhe më pak problematik se “Veriorja”, kur në Samitin e njohur të NATO-së në Bukuresht, shkoi pa pasur guxim të deklarohet.

Në aspektin intraetnik qasja e VMRO-së, me “inxheneringun identitar” kishte futur përçarje në vetëdijen e maqedonasve, gjë kjo që edhe gjatë kohë do të ushqejë iluzione joreale për të kaluarën. Në të vërtetë, edhe kjo episode e acarimit të marrëdhënieve me Bullgarinë, mban vulën e VMRO-së, sepse ndryshe kanë qenë veprimet e hapta ose të fshehta të këtij subjekti, e ndryshe ato të deklaruara zyrtarisht.

Në planin e brendshëm, viti 2001 dhe Marrëveshja e Ohrit, ka qenë një test për kapacitetet shtetndërtuese .Kur e përmendim këtë fjalë, e kam parasysh atë lloj veprimi politik që përmban vizion, e jo deklarativizëm folklorik në emër të interesit kombëtar. Është fakt se konflikti në pushtet e gjeti VMRO-në, por menaxhimi i gjithë situatës ra si barrë mbi katër partitë më të mëdha parlamentare,VMRO-në, LSDM-në, PPD-së dhe PDSH-në, duke formuar një qeveri të përbashkët, e cila edhe ishte nënshkruese e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Nënshkruesit e marrëveshjes kishin marrë edhe obligime, kishte edhe afat për jetësimin e saj. Mirëpo, VMRO-ja filloi menjëherë me obstruksione, duke kërkuar që disa formulime ose zgjidhje të ridefinohen! Të ndjerët Arbër Xhaferi dhe Imer Imeri, u vunë madje edhe nën presion ndërkombëtar që të pajtohen me këto “ridefinime” që vetëm disa muaj më parë i kishin nënshkruar të gjithë bashkë. Për VMRO-në sikur nuk vlente nënshkrimi i vënë. Një jo seriozitet dhe jo parimësi e paparë.

LSDM-ja, ndryshe nga VMRO-ja, nuk ikte nga jetësimi i Marrëveshjes së Ohrit, por kalimi në opozitë, VMRO-së i dha krah edhe më shumë që të distancohet nga marrëveshja! Një nga ngjarjet më dramatike të asaj kohe ka qenë rezistenca e paprecedent e VMRO-së kundër decentralizimit, me protesta të mëdha e me bllokada,madje në një rast qe rrezikuar fizikisht edhe kryetari i LSDM-së dhe kryeministri i asaj kohe, Vllado Buçkovski. Por rezistoi edhe LSDM-ja kundrejt decentralizmit, sepse iu deshën shtatë javë bisedime të vështira me BDI-në për të ardhur te një zgjidhje optimale. Po atë mandat(2002-2006),qe legalizuar(më saktë: themeluar) edhe Universiteti Shtetëror i Tetovës dhe qe avancuar edhe përdorimi i gjuhës shqipe. Po atë periudhë qe bërë edhe regjistrimi i popullsisë, të cilin, në manirin e vet, VMRO-ja vite me radhë rezultatin e konsideron “të ujdisur”! Në diskursin manipulativ, shpesh fitohet bindja se VMRO-ja pasi t’i shpikë disa teza, nisë dhe t’u besojë, si kjo e regjistrimit!

Por e gjithë kjo, kishte “faturë të lartë” për LSDM-në, e cila tri mandatet e ardhshme nuk do të marrë erë te pushteti! Madje edhe në zgjedhjet e vitit 2016, pas gjithë atyre aferave që Zaevi ia zbuloi Gruevskit me shokë, VMRO-ja korri fitore! Vetëm falë BDI-së që shkeli parimin “fituesi me fituesin” për shkak të interesave më të larta, në pushet u kthye LSDM-ja.

Pra,gjatë gjithë kohës, në kapituj kyç, LSDM-ja nuk denjonte të marrë përgjegjësitë e interesit të lartë shtetëror, ndërkaq VMRO-ja u ikte: u ikte shqiptarëve për të bërë qeveri me ta(në fillim të 90-tave, ikte nga jetësimi i marrëveshjes së Ohrit, ikte nga marrëveshja me Greqinë dhe s’është asgjë e re as kjo ikje nga Marrëveshja me Bullgarinë. Edhe kësaj radhe, me Marrëveshjen e Prespës, me të cilën iu hapën dyert Maqedonisë për NATO, interesi më i lartë shtetëror gjer tani në këto kohë të turbullta gjeopolitike, si dhe me Marrëveshjen me Bullgarinë që nuk dihet si do të përfundojë, LSDM-së do t’i kushtojë shtrenjtë, sepse një pjesë e madhe e publikut të indoktrinuar me narrativet patriotike të VMRO-së, do ta ndëshkojë LSDM-në.

Që të jemi më të plotë në analizën e rolit të këtyre dy subjekteve, duhet hedhur pak në histori, sepse zaten këto dy parti edhe vetë e kanë zgjeruar temën e debatit. Është mirë të përkujtojmë edhe fazat e mëhershme të veprimtarisë së të majtëve(komunistëve, socialistëve) dhe të djathtëve(VMRO). Edhe në këtë plan më të gjerë, prapë roli i të majtëve ka qenë vendimtar për krijimin e Maqedonisë kundrejt VMRO-së. Sepse, Maqedonia e ASNOM-it, u krijua në kuadër të Jugosllavisë si rezultat i luftës antifashiste, që e udhëhoqën komunistët kundër okupatorit bullgar. Përfaqësuesi më i njohur i asaj kohe i VMRO-së, Vanço Mihajllovi, ishte përgatitur për të qenë një “Ante Paveliq” për Maqedoninë, por qe sjellë vërdallë pa gjetur lidhje me popullin që do ta ndiqte dhe iku pa bërë asnjë punë. Zaten, edhe të kishte bërë diçka, nga këndvështrimi maqedonas, ai do të bënte një shtet që do të ishte shumë afër Bullgarisë, ose madje pjesë të saj. Dorën në zemër, ai nuk bëri gjë në fushën politike e historike, por në pikëpamje teorike dha modelin më të mirë për Maqedoninë si një shtet multietnik, në parimin e Zvicrës. Nga këndvështrimi maqedonas i sotëm, ai mbetet një figurë kontraverse, po të ishte nga këndvështrimi shqiptar, tejet pozitive. Jo vetëm në luftën e dytë botërore, por as më herët, në çastet kyç, VMRO-ja (apo TMORO-ja), luftën për Maqedoni, shpesh e lidhnin me interesat bullgare, kurse si rezultat i rrymave të shumta, ata merreshin me spastrimet e radhëve të veta. Sot në këtë Shkupin 2014, i ke bustet e atyre që kanë vrarë njëri tjetrin, krejt të prezantuar si luftëtarë për kauzën maqedonase, edhe pse realisht nuk kanë qenë krejtësisht të tillë!

 (Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)