Matematika tregon se LSDM ka të njëjtat vota të elektoratit maqedonas njëjtë sikurse në raundin e parë – diku 330.000-340.000, derisa VMRO ka arritur të fitojë edhe rreth 60.000 vota tjera maqedonase
Destan JONUZI
Shkup, 6 maj – Rezultatet e raundit të dytë të zgjedhjeve, përpos rritjes së votave të LSDM-së (bashkë me ato shqiptare që votuan për Stevo Pendarovskin), tregojnë se rritje të theksuar në nivel shteti ka edhe VMRO-DPMNE. Nëse në raundin e parë, kandidatja e VMRO-së, Gordana Siljanovska Davkova arriti të filojë 318.341 vota, të dielën ajo mori 377.713 vota, apo 59.372 më shumë se më 21 prill. LSDM ndërkohë, nëse krahasohet raundi i parë dhe raundi i dytë, pa votat e supozuara shqiptare, nuk ka lëvizje në rritje të votave, shkruan gazeta KOHA. Më 21 prill, Pendarovski si kandidat i 31 partive politike në koalicionin qeveritar mori 322.581 vota, ndërsa të dielën 436.212 (rreth 120 mijë vota shqiptare). Matematika tregon se LSDM ka të njëjtat vota të elektoratit maqedonas njëjtë sikurse në raundin e parë – diku 330.000-340.000, derisa VMRO ka arritur të fitojë edhe rreth 60.000 vota tjera maqedonase.
Rritje VMRO ka shënuar edhe nëse votat e së dielës krahasohen me zgjedhjet lokale të vitit 2016, kur VMRO-DPMNE kishte vetëm 335.054. Me rreth 380 mijë vota, VMRO del të jetë partia e parë tek elektorati maqedonas, ndërsa kjo u theksua edhe nga zyrtarët e partisë së Hristijan Mickovskit menjëherë pas shpalljes të rezultatit të zgjedhjeve të dielën. “VMRO-DPMNE dhe Gordana Siljanovska Davkova fituan në numrin më të madh të komunave të Republikës së Maqedonisë. Siljanovska Davkova ka fituar më shumë vota se në rrethin e parë. Anëtarësia e VMRO-DPMNE-së ka qenë nën përndjekje konstante politike dhe se pushteti është shërbyer me të gjitha metodat”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i VMRO-së, Igor Janushev.
Kandidatja e VMRO-së, Gordana Siljanovska Davkova të dielën, ashtu sikurse në raundin e parë, fitoi bindshëm në komunat e pastra apo me shumicë maqedonase si në Zelenikovë, Aerodrom, Gjorçe Petrov, Kisella Vodë, Sopishte, Petrovec, Ilinden, në Manastir, Veles, Kavadar, Gjevgjeli, Prilep, Sveti Nikole, Shtip, Bosilovë, Vallandovë, Vasilevë, Vevçan, Vinicë, Gradsko, Debërcë, Demir Kapi, Zërnovc, Karbincë, Kratovë, Krivogashtan, Lozovë, Makedonska Kamenica, Makedonski Brod, Mogillë, Negotinë, Novac, Pehçevë, Probishtip, Rosoman, Nagoriçan i Vjetër, Çeshinovë-Obleshevë dhe barazim në Radovish dhe Butel, raporton KOHA.
Kjo është edhe arsyeja që Siljanovska Davkova, megjithëse e pranoi humbjen, nuk e uroi Pendarovskin për fitoren e së dielës. “Numrat flasin për humbje. Thjeshtë të mundurit nuk ndjehen mirë, por unë nuk jam ndjerë më e qetë, më e pasur”, ka thënë Siljanovska duke falënderuar përkrahësit për mbështetjen, ndërsa theksoi se ka marrë mirëkuptim dhe energji të madhe nga qytetarët.
Si sukses e ka konsideruar atë që në zgjedhje ka marrë mbi 377 mijë vota. Ka shprehur për këtë falënderim dhe ka shtuar se nuk ka qenë e vogël puna për dy javë mes dy rretheve zgjedhore të fitojë plus 60 mijë vota. “A thua ky rezultat çon në pajtim dhe shënon ndasi në shtet sipas shumë bazave”, tha Siljanovska dhe ka shtuar se asgjë nuk do të jetë njëjtë në vend dhe se fjalët që janë thënë në debatet televizive do të mbeten udhërrëfyes për pozitën, por edhe opozitën. Sipas Siljanovskës, në këto zgjedhje ka fituar partitokracia në vend të demokracisë, ndërsa ka theksuar se rezultati i së dielës flet për de-legjitimim të këtij pushteti dhe se seriozisht duhet të mendohet për zgjedhje të parakohshme parlamentare. (koha.mk)