Mënyra e vetme që ekonomia të kthehet në suksesin të cilin e kishte viteve të kaluara është që të organizohen zgjedhje të reja parlamentare, në të cilin do të ballafaqohen programet dhe projektet ekonomike të VMRO-DPMNE-së dhe platformat e huaja dhe agjendat e LSDM-së, thekson VMRO-DPMNE-ja në reagimin ndaj konferencës së LSDM-së prej nga konsiderojnë se ka mundësi për recesion të ekonomisë vendore nëse shpejt nuk formohet qeveri. Sipas VMRO-DPMNE-së, qytetarët e dinë shumë mirë se kush ka bërë më shumë për ekonominë, standardin dhe biznesin në Maqedoni.
“Qytetarët mbajnë mend se çfarë katastrofe ekonomike shkaktoi LSDM-ja në çdo qeverisje të saj. Në fakt LSDM-ja me sjelljen e saj destruktive periudhën e kaluar i shkaktoi dëm të mjaftueshëm edhe shtetit dhe qytetarëve dhe ekonomisë. Në vend të planeve për jetë, LSDM-ja qytetarëve u porositi plan për ridefinim të shtetit. LSDM-ja tregoi se ekonomia për ta nuk është prioritet, por shitja e interesave shtetërore dhe kombëtare”, thuhet në reagim.
VMRO-DPMNE-ja konsideron se është hipokrite që LSDM-ja të prezantohet si parti e ekspertëve ekonomik, nëse, thuhet, merret parasysh se në kohë të qeverisjes së kësaj partie vendi arriti nivel më të lartë historik të papunësisë dhe papunësi më të lartë në Evropë.