Shkup, 8 gusht – VMRO-DPMNE edhe njëherë ka këmbëngulur që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe qytetarët të japin përgjigjen e tyre për këtë periudhë, e cila, sipas VMRO-DPMNE-së, ka qenë e shoqëruar me shumë skandale korruptive.
Sekretari i partisë VMRO-DPMNE, Igor Janushev, ka apeluar që Qeveria duhet të japë dorëheqje dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
“Ne insistojmë në zgjedhje të cilat do të kishin kujdes afatet ligjore në çështjen e formimit të një qeverie teknike dhe në zbatimin e zgjedhjeve të lira, fer dhe demokratike. Tani a do të jetë data të cilën kohë më parë e propozuam, apo një javë më shumë apo më pak është çështje e cila duhet vendoset. Ne presim që pas këtyre thirrjeve tona, qeveria të marrë guximin dhe të shpallë zgjedhje. Por, kuptohet që duhet të mbrohen dhe të plotësohen të gjitha afatet ligjore dhe kushtetuese për organizimin e tyre”,- tha sekretari i VMRO-DPMNE-së, Igor Janushev.
Kryeministri i vendit, ditë më parë, pohoi se zgjedhjet janë të pranueshme të shpallen dy muaj para zgjedhjeve të rregullta, respektivisht diku nga muaji tetor i vitit 2020.
Ky opsion ishte i pranueshëm edhe për Bashkimin Demokratik për Integrim, të cilët pohuan se prioritet për vendin janë përfundimi i reformave, drejt anëtarësimit të vendit në NATO dhe BE, por sipas integristëve nëse të gjitha subjektet janë të gatshme për zgjedhje, ajo do të vlente edhe për BDI-në.