Shkup, 3 gusht – Metodat që Zoran Zaev i përdor përmes instrumenteve të pushtetit ndaj popullit janë dëshmi se po sundon regjimi, njofton në kumtesë deri te mediumet VMRO-DPMNE-ja.
“Populli është viktima e krimit, haraçit, varfërisë, represioneve dhe frikësimeve. Secilën ditë zbatohen metoda për dënimin e qytetarëve që nuk pajtohen me qeverisjen e LSDM-së”, thuhet në kumtesë.
Për herë të parë që nga pavarësia e Maqedonisë, thuhet më tej në kumtesë, “partia më e madhe opozitare është ndaluar që të shtrojë lule para bustit Makedonium tek varri i Nikolla Karevit në Krushevë dhe se u prish tradita që ka ekzistuar me vite ku opozita në radhë të parë është në festën e Ilindenit. Me këtë, thonë nga partia maqedonase opozitare, LSDM tregoi mosrespektim ndaj partive në Maqedoni dhe papjekuri politike.
“Me hapa të tillë destruktivë, Zoran Zaev gjithnjë e më tepër na largon nga BE”, thonë nga VMRO-DPMNE-ja, duke shtuar se për Zoran Zaevin nuk do të ketë dënim të mjaftueshëm për t’i kërkuar falje popullit në Maqedoni për krimet që ka bërë. (koha.mk)